Lajme

Rama: Kosova pa unitet për Gjykatën Speciale, bashkimi kombëtar vetëm përmes BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur hapur për procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe çështjen e krerëve të UÇK-së.

Rama: Kosova s’ka vullnet për rezolutë kundër Gjykatës Speciale

Rama, në në një intervistë në emisionin Jehona Politike në Klan Kosova u shpreh se në Kosovë mungon vullneti politik për të miratuar një rezolutë të përbashkët të Parlamentit kundër Gjykatës Speciale, e cila sipas tij, do të kishte mbështetjen e menjëhershme të Shqipërisë.

“Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë përtej partive politike, të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse, sepse ka shumë farsë në këtë mes”, tha Rama.

I pyetur për raportin e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi, ai tha se nuk komunikojnë shpesh, por lidhja mes tyre nuk është ndërprerë.

“Hashimi dhe të tjerët dhe Parlamenti i Kosovës bënë një akt mirëbesimi. Nuk dëgjohemi shpesh [me Thaçin], por kam përshtypjen që ndjehemi gjatë gjithë kohës pa ndërprerje”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Rama e përshkroi historinë e Gjykatës Speciale si një proces “të trishtueshëm dhe zhgënjyes”, për të cilin beson se do të lërë gjurmë edhe tek shtetet që e sponsorizuan.

“Kam përshtypjen që në një moment të caktuar do të zgjohen për ta reformuar këtë lloj sistemi kaq zhgënjyes”, tha ai, duke shtuar se për momentin nuk mbetet tjetër veçse të ndiqet procesi me shpresën se “në fund do të ketë një dritë ndërgjegjeje” në vendimmarrje.

“Fatkeqësisht, deri tani ky proces ka qenë një tunel pa dritë. Shpresa është që në fund të mos mbetet i tillë”, tha Rama.

I pyetur nëse kishte marrë ndonjë urim nga kryeministri në detyrë i Kosovës për formimin e qeverisë së re të Shqipërisë, Rama tha se nuk dëshiron të hyjë në këtë bisedë, por e shfrytëzoi rastin për të theksuar mungesën e vullnetit për një qasje të unifikuar.

“Nuk do të hyj në këtë bised, pasi kjo nuk është qëllimi i kësaj bisede, dhe nuk fola për marrëdhëniet mes nesh, por fola për mungesën e vullnetit për të marrë një hap, qoftë edhe simbolik. Unë besoj se do të ishte një hap që do të kishte një jehonë të caktuar në rast se do të bashkoheshin të dy kuvendet, dhe do të ndërmerrnim një ofensivë diplomatike për ta çuar këtë qëndrim të unifikuar në të gjitha kancelaritë, duke bashkëlidhur të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit. Ne nuk hymë në meritën e çështjes, sepse ne vazhdojmë të mendojmë se drejtësia ka punën e vet, por ajo që mund të bëjmë, është të nxjerrim në pah shkeljet shumë të rënda të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit. Procesi nuk është demokratik. Duhet të shpresojmë që të paktën gjykatësit duhet të jenë ndryshe nga prokurorët.”

Më tej, Rama u pyet për paraqitjen e Kosovës në nivel ndërkombëtar, ku ai foli për të drejtën e qytetarëve të Kosovës që të gjykojnë proceset politike dhe të nxjerrin vetë konkluzione.

“Qytetarët e Kosovës kanë votuar, është një vend demokratik që zgjedh demokratikisht, dhe i takon qytetarëve të Kosovës ta shohin, e ta gjykojnë dhe të nxjerrin konkluzionet e tyre sipas bindjeve të tyre. Unë kam folur për të gjitha ato çështje që kanë qenë të lidhura me interesin e Shqipërisë për sa i përket rajonit, dhe për interesin e Kosovës sa i përket Evropës. Por pastaj si ecin gjërat brenda në Kosovë dhe si gjykohet puna e x apo y, ajo nuk është puna ime”.

Rama: Bashkimi kombëtar realizohet vetëm përmes BE-së

Kryeministri Rama më tej theksoi se Kosova nuk mund të ketë përparim pa ndërtuar besim dhe simpati të plotë ndërkombëtare, duke shtuar se deri tani nuk është bërë asnjë hap domethënës në këtë drejtim.

“Është e pamundur të përparohet në asnjë lloj drejtimi në këtë aspekt pa krijuar besim dhe simpati të plotë ndërkombëtare. Kjo nuk bëhet se duam ne, por bëhet nëse ne kemi të gjithë miqtë e mjaftueshëm dhe aleancat e mjaftueshëm për t’ia dalë”, tha Rama.

Sipas tij, Kosova nuk ka arritur të zgjerojë as të forcojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Në këtë aspekt, fjala më e butë që mund të thuhet është se nuk ka asnjë progres. S’ka asnjë progres në aspektin e zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare të Kosovës”, theksoi ai.

Kryeministri shqiptar u ndal edhe te koncepti i bashkimit kombëtar, duke theksuar se i vetmi bashkim real është ai përmes Bashkimit Evropian, ndërsa çdo alternativë tjetër e quajti thjesht “përrallë”.

“Bashkimi kombëtar, sipas meje, është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është përrallë që gjithkush mund t’ia tregoj vetes por nuk ka asnjë shans që ta sheh të realizuar në realitet”.

Ai shtoi se duhet të mendohet me vizionin e shekullit 21 dhe jo me formula të së kaluarës.

“Jetojmë në shekullin 21 dhe nuk mund të mendojmë në shekullin 21 me formula të shekullit 20 dhe lëre pastaj të shekullit 19 apo më përpara. Për mua, nëse flasim për bashkim kombëtar, flasim për Bashkim Evropian. Nëse flasim për bashkim kombëtar jashtë Bashkimit Evropian, jemi duke folur me vete dhe për vete por as për vete jo sepse është tërësisht një fantazi që s’ka lidhje me realitetin”, tha Rama.

Rama: Kosova të bëjë detyrat e saj në dialog, pa pritur Serbinë

Rama tha se Kosova nuk duhet ta ketë fare në konsideratë Serbinë në rrugën e saj evropiane, duke theksuar se sfida tani është të fitohet paqja.

“Për mua, Kosova e ka fituar luftën por duhet ta fitojë paqen. Që të fitojë paqen do të thotë që të sistemohet në tryezën e bashkësisë demokratike. Kjo është e gjitha. Që ta bëjë këtë nuk duhet të shoh fare nga Beogradi, nuk duhet të mendojë fare për Serbinë, nuk duhet t’ia di fare për çfarë thonë apo çfarë pretendojnë serbët, por duhet të bëjë detyrat e veta”.

Rama tha se Kosova duhet t’i bëjë këto detyra për veten dhe të ardhmen e saj, në koordinim me BE dhe SHBA, edhe nëse kjo nënkupton të veprojë e vetme në disa raste.

“Duhet t’i bëjë detyrat e veta për veten dhe për të ardhmen e vet, jo për serbët. Dhe këto lidhen me dialogun por lidhen me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara pastaj, që do të thotë se nëse në tryezën e dialogut janë ‘x’ pika për tu përmbushur, Kosova t’i bëjë në mënyrë unilaterale dhe të shkojë përpara. Nuk ka rëndësi fare se çka bën Serbia, kurrë mos i bëftë, s’ka asnjë problem”.

Ai shtoi se nëse Kosova i përmbush obligimet e saj dhe Serbia jo, atëherë fiton legjitimitetin për të kërkuar nga ndërkombëtarët që përgjegjësia t’i mbetet Beogradit.

“Në rast se Kosova i përmbush obligimet e veta dhe Serbia jo, atëherë Kosova më drejtë i thotë të gjithëve ‘shkoni merruni me Serbinë, unë dua vendin tim, dua rrugën time, dua vëmendjen time’”, tha Rama.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png