Lajme

Raketat hipersonike, karta e fortë e Putinit kundër Perëndimit

Ka ardhur koha që Britania dhe NATO të krijojnë një “kupolë hekuri” të stilit izraelit për t’u mbrojtur nga teknologjia e re ruse. Ky sistem mbrojtës, është i domosdoshëm për të parandaluar shantazhin ushtarak dhe për të garantuar sigurinë e Evropës përballë raketave që shmangin sistemet tradicionale.

Përpara Luftës Çeçene të vitit 1994, thuhej se Ministri rus i Mbrojtjes mburrej se mund ta merrte kryeqytetin, Grozni, “brenda dy orësh me një regjiment të vetëm ajror”. Pra, Kremlini priste “një luftë të vogël fitimtare”.

Por në vend të kësaj, rebelët çeçenë e detyruan ushtrinë ruse të tërhiqej në mënyrë poshtëruese pas dy vitesh luftime të ashpra. Edhe presidenti aktual i Rusisë, Vladimir Putin, shpresonte për një luftë të vogël fitimtare kur urdhëroi pushtimin e Ukrainës katër vjet më parë.

Kremlini priste që gjithçka të mbaronte brenda dy javësh, por rekrutët rusë ende vriten ose plagosen çdo javë, jo me qindra, por me mijëra. Negociatorët perëndimorë janë përpjekur vazhdimisht t’i japin Putinit një shans për të shpëtuar diçka që ai mund t’ia paraqiste si fitore popullit të tij.

Por pavarësisht se është 73 vjeç – dhe mes thashethemeve të vazhdueshme për shëndetin e tij – ai duket se nuk po nxiton drejt një marrëveshjeje për paqe. Raundi i fundit i bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë përfundoi në Gjenevë javën e kaluar me Zelenskyn që akuzoi rusët se po përdorin taktika vonuese.

Pesha e madhe e numrave është në anën e Putinit. Rusia ka një popullsi tri herë e gjysmë më të madhe se Ukraina, dhe kësaj të fundit po i mbarojnë të rinjtë për t’i dërguar në front. Po nëse Putini e mposht Ukrainën, çfarë vjen më pas?

Gjeneralmajori Ëolf-Jürgen Stahl beson se udhëheqësi rus po përgatitet të zhvillojë luftë kundër NATO-s në Evropë. Stahl, i cili është kreu i Akademisë Federale për Politikën e Sigurisë (kolegji kombëtar i mbrojtjes i Gjermanisë), tha javën e kaluar se Putini është në një “mision” kundër Perëndimit.

Ai paralajmëroi se do të përjetojmë gjëra që as nuk mund t’i imagjinojmë, pasi s’ka dyshim se ai do t’i përdorë mjetet ushtarake po t’i jepet mundësia. Megjithatë, duhet thënë se Rusia kishte një ushtri të rrënuar dhe të korruptuar madje edhe para se të dërrmohej në Ukrainë. Provë për këtë ishte ditari i parashutistit rus Pavel Filatyev, i cili tregoi se në kazerma nuk kishte shtretër, shpesh mungonte energjia dhe uji, ndërsa nëpër bazë endeshin qen të egër. Nuk kishte ushqim të mjaftueshëm, por vetëm bukë bajate dhe një “supë” me patate të gjalla, dhe ai vetë shkoi në betejë pa jelek antiplumb pasi oficerët e korruptuar i kishin shitur ato. Madje, edhe pushka e tij ishte e ndryshkur.

Shpenzimet e mbrojtjes kolektive të NATO-s janë 10 herë më të larta se ato të Rusisë (1.4 trilionë dollarë kundrejt 146 miliardë dollarëve) dhe ushtritë e NATO-s kanë pajisje që funksionojnë me besueshmëri.

Ideja që Rusia mund të pushtojë Evropën Perëndimore duket absurde, dhe ne nuk po përballemi me një Mynih tjetër si në vitin 1939. Por “ariu” rus ka ende dhëmbë. Rusia është përpara NATO-s në teknologjinë e përparuar të raketave, veçanërisht atyre hipersonike që fluturojnë pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit.

Këto raketa manovrojnë gjatë fluturimit në një mënyrë që i bën jashtëzakonisht të vështira për t’u kapur, pasi lëvizin në mënyrë të paparashikueshme nëpër atmosferën e sipërme, duke e shkurtuar ndjeshëm kohën e vendimmarrjes për udhëheqësit politikë.

Kjo mund të ndryshojë ekuilibrin e terrorit dhe të përdoret si pjesë e një fushate lufte psikologjike për të frikësuar vendet e NATO-s. Një kërcënim tjetër është lufta hibride që përfshin hakerimin, spiunazhin industrial, minimin e zgjedhjeve dhe propagandën përmes të ashtuquajturës “Provokatsiya” – një mashtrim i projektuar për të kompromentuar kundërshtarin.

Dr.Bob Seely, autor i librit “Lufta e Re Totale”, pret të shohë gjithnjë e më shumë veprime të “zonës gri” dhe operacione dezinformimi në aleancë me partitë pro-ruse në Hungari e Sllovaki.

Sipas tij, Putin dëshiron të rikrijojë Rusinë si shtet antiperëndimor, të shkatërrojë Ukrainën dhe të shpërbëjë NATO-n. Edhe pse ai nuk do të dërgojë tanke në Gjermani apo Francë, mund të përdorë “burrat e vegjël me uniforma të gjelbra” në vende si Estonia, e cila ka një pakicë të madhe ruse.

Britania e Madhe ka dërguar një batalion ushtarësh në Estoni për të siguruar mbrojtjen kolektive, por kjo gjithashtu e lidh fatin tonë me një rajon ku Putini beson se ka interes jetik. Vëzhguesit besojnë se presidenti rus është mbi të gjitha një oportunist dhe një takticien dhe më pak strateg, prandaj plani i tij është i vështirë të parashikohet.

Ekziston një paralele me vendimmarrjen e çresidentit Trump. Si Kremlini, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë funksionojnë si kulte personaliteti, ku gjithçka varet nga njeriu në krye, i cili mund t’i shpikë gjërat rrugës, duke e bërë një kundërshtar të tillë jashtëzakonisht të vështirë për t’u lexuar./ “The Intelligent Paper”

3sgIgLJ.png