Qeveria federale e Shteteve të Bashkuara ka nisur zyrtarisht procesin e mbylljes (“shutdown”), pasi demokratët dhe republikanët nuk arritën të bien dakord për zgjatjen e financimit përpara afatit të 1 tetorit 2025.
Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit (CBO), deri në 750 mijë punonjës federalë rrezikojnë të dërgohen në pushim të detyruar pa pagesë, ndërsa punonjësit e konsideruar “thelbësorë” do të vazhdojnë punën, por pa marrë paga derisa Kongresi të arrijë një marrëveshje.
Kriza buxhetore është shoqëruar nga përplasje të ashpra politike në Washington.
Demokratët dhe republikanët po akuzojnë njëri-tjetrin për bllokimin. Dhoma e Përfaqësuesve, e dominuar nga republikanët, miratoi një projektligj që do të shtynte financimin me shtatë javë, por ai nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme në Senat, ku votat demokrate janë vendimtare.
Demokratët kanë kushtëzuar mbështetjen e tyre me përfshirjen e masave për zgjatjen e kredive tatimore për sigurimin shëndetësor, ndërkohë që kanë propozuar edhe një projektligj alternativ.
Por, në votimet e fundit të së mërkurës, as projektligji i republikanëve, as ai i demokratëve, nuk arritën të kalojnë.
Ndërkohë, republikanët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të mbajnë votime në ditët në vijim, me synim rritjen e presionit ndaj kundërshtarëve politikë.
Një “shutdown” i qeverisë federale, përveçse paralizon përkohësisht një pjesë të institucioneve dhe shërbimeve publike, mund të ketë pasoja serioze ekonomike, duke ndikuar në besimin e tregjeve dhe në jetën e përditshme të miliona amerikanëve.
								
							
						
								
														
							
								
														
							
								
														
							

