Rusia po përgatitet për një “luftë të madhe” në Evropë në vitin 2029.
Kështu paralajmëroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një mesazh urgjent drejtuar aleatëve të Ukrainës, sipas “The Independent”.
Duke postuar në X, presidenti ukrainas bëri thirrje që unioni ndërkombëtar të dyfishonte sanksionet ndaj ekonomisë ruse për të ulur aftësitë e tyre mbrojtëse.
“Duke pasur parasysh situatën në fushën e betejës, nuk e shohim Rusinë që dëshiron të ndalet”, tha Zelensky.
“Problemi është se kur shikojmë industrinë ushtarake ruse, shohim se ata po rrisin prodhimin e tyre. Sipas vlerësimit tonë, ata duan ta vazhdojnë këtë luftë”, shtoi ai.
“Ne mendojmë se nëse ushtrojmë presion, rusët do të kenë nevojë për një pauzë. Por duhet ta pranojmë se ata duan një luftë të madhe, ata po përgatiten për të nisur një luftë të madhe në vitin 2029 ose 2030 – në kontinentin evropian”, tha presidenti ukrainas.
Deklarata e tij vjen ndërsa BE-ja po shqyrton se si mund të sigurojë më shumë para për Ukrainën, qoftë duke sekuestruar asetet e ngrira ruse, duke mbledhur fonde në tregjet e kapitalit, ose duke i detyruar disa nga 27 vendet e BE-së të mbledhin vetë paratë.
Presidenti rus, Vladimir Putin mendon se mund të na mbijetojë” në betejën për të ardhmen e Ukrainës, gati katër vjet pas pushtimit të plotë të Rusisë ndaj fqinjit të saj, tha Ursula von der Leyen.
“Tani është momenti për të zhbllokuar përpjekjen cinike të Putinit për të fituar kohë dhe për ta sjellë atë në tryezën e negociatave”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ndërkohë, Kremlini tha sot se Ukraina do të duhej të negocionte me Rusinë “herët a vonë” dhe pretendoi se pozicioni negociues i Kievit do të përkeqësohej çdo ditë.
Moska, forcat e së cilës aktualisht po përpiqen të marrin kontrollin e qytetit të Pokrovskut në Ukrainën lindore, ka akuzuar zyrtarët ukrainas se refuzojnë të angazhohen në bisedimet e paqes.
Në përgjigje, Kievi thotë se kërkesa e Moskës që Ukraina të lëshojë territorin e pushtuar si pjesë e një marrëveshjeje paqeje është e papranueshme dhe e barabartë me dorëzimin e vendit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se Rusia mbetet e hapur për një zgjidhje politike dhe diplomatike dhe se dëshiron paqe.
Deklarata e tij vjen pas përpjekjeve të bllokuara për paqe të udhëhequra nga SHBA-të – pa asnjë progres që kur Trump dhe Putin zhvilluan bisedime në Alaska në gusht.


