Lajme

Pse ukrainasit janë të zemëruar me Zelensky-n?

Protestat e para që prej fillimit të luftës, qytetarët akuzojnë qeverinë për konsolidim pushteti

Vendimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të miratuar një ligj që vendos nën kontrollin ekzekutiv Byronë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Zyrën e Prokurorit të Posaçëm Kundër Korrupsionit (SAP) ka hapur një debat të fortë brenda dhe jashtë vendit. Ky ligj i jep Prokurorit të Përgjithshëm, një figurë e emëruar nga presidenti, të drejtën për të marrë nën kontroll hetimet, për të dhënë urdhra detyrues, madje edhe për t’i mbyllur ato.

Kritikët e konsiderojnë këtë si goditjen më të rëndë ndaj pavarësisë së institucioneve kundër korrupsionit që nga krijimi i tyre pas Revolucionit të Maidanit më 2014, kur Ukraina mori angazhime të qarta për të luftuar korrupsionin e thellë shtetëror. Edhe vetë NABU paralajmëroi se ky ligj “do ta shndërrojë institucionin në një zyrë vartëse të Prokurorit të Përgjithshëm”, duke e zhdukur pavarësinë e fituar me shumë mund.

Pse Zelensky po e bën këtë tani?

Presidenti Zelensky justifikoi nënshkrimin e ligjit me nevojën për të “pastruar ndikimin rus brenda institucioneve të drejtësisë” dhe për të përshpejtuar hetimet që kanë ngecur prej vitesh. Një ditë para nënshkrimit të ligjit, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) kishte arrestuar disa agjentë të NABU-së, duke i akuzuar për bashkëpunim me shërbimet ruse.

Në fjalimin e tij, Zelensky u shpreh i prerë: “Anti-korrupsioni do të funksionojë, por pa ndikim rus. Rastet që kanë qëndruar pezull për vite duhet të lëvizin përpara. Nuk ka justifikim që procedime miliardëshe të qëndrojnë të mbyllura në sirtar.”

Megjithatë, kritikët shohin te ky veprim më shumë se sa një reagim ndaj rrezikut rus; ata e konsiderojnë një konsolidim të pushtetit ekzekutiv në duart e presidentit dhe rrethit të tij të besuar.

Protestat e para që prej fillimit të luftës

Ky vendim shkaktoi protestat e para të përmasave të mëdha në Kiev dhe qytete të tjera që prej pushtimit rus në shkurt 2022. Dhjetëra qytetarë dolën në sheshe duke akuzuar qeverinë për tentativë kapjeje të institucioneve të pavarura. Për një shoqëri që ka qëndruar e bashkuar kundër agresionit rus, këto protesta tregojnë një ndarje të re të brendshme që lidhet me vetë thelbin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend.

Reagimi ndërkombëtar: një sinjal alarmi për procesin e integrimit në BE

Ky zhvillim nuk ka kaluar pa reagime ndërkombëtare. Komisioni Europian, përmes komisioneres për Zgjerim Marta Kos, u shpreh “seriozisht i shqetësuar”, ndërsa ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, tha se “ende nuk është vonë për ta kthyer këtë vendim”. Edhe ambasadorët e vendeve të G7-ës në Kiev paralajmëruan se ky ligj rrezikon pavarësinë e institucioneve dhe kërkuan shpjegime nga qeveria ukrainase.

Pavarësia e institucioneve kundër korrupsionit është një kusht themelor i procesit të anëtarësimit të Ukrainës në BE. Siç u shpreh një diplomat europian:

“Institucionet si NABU dhe SAP janë gurë themeli të reformave. Nëse dobësohen, rruga e Ukrainës drejt BE-së do të jetë më e vështirë.”

Një risk politik i lartë për Zelenskyn

Zelensky e ka ndërtuar imazhin e tij ndërkombëtar si kampion i demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit, sidomos në betejën për të tërhequr mbështetje financiare dhe ushtarake nga Perëndimi. Vendimi për të centralizuar kontrollin mbi agjencitë kundër korrupsionit mund të dëmtojë këtë imazh dhe të ulë besimin te udhëheqja e tij – një faktor kritik në kohë lufte.

Nga ana tjetër, Zelensky argumenton se ky është një akt lufte ndaj ndikimeve të huaja dhe korrupsionit të brendshëm. Por, ndërkohë që lufta kundër Rusisë vazhdon, Ukraina po rrezikon një krizë të brendshme besimi mes qytetarëve dhe institucioneve.

Çfarë pritet të ndodhë?

Ligji tashmë ka hyrë në fuqi, por opozita ka paralajmëruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe po lobon tek BE, FMN dhe Banka Botërore për presion ndërkombëtar. Deputeti liberal Yaroslav Zhelezniak e tha hapur: “Presidenca mendoi se kjo do të harrohej brenda një dite. Por reagimi tregoi të kundërtën.”

Nëse kjo krizë thellohet, mund të kemi një përplasje midis nevojës për një udhëheqje të fortë në kohë lufte dhe ruajtjes së parimeve të shtetit ligjor, një dilemë që Ukraina nuk e ka pasur që prej vitit 2014. /Marrë me shkurtime nga “Politico”

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png