Shkruar nga Nathalie Tocci
Rikthimi i Trumpit po i jep fund “martesës” transatlantike. Kjo krizë po e detyron Evropën të përballet me dobësitë e saj në mbrojtje dhe teknologji. Megjithëse fillimisht u tentua të blihej kohë, kjo situatë po shërben si katalizator për një vetëmjaftueshmëri të vërtetë të kontinentit...
Ndërsa i afrohemi përvjetorit të parë të rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, qeveritë dhe publiku evropian po përballen më në fund me përçarjen strukturore që ngjarjet e vitit të kaluar kanë shkaktuar në marrëdhënien transatlantike.
Ata nuk shpresojnë më ta shpëtojnë martesën. Në rastin më të mirë, ata shpresojnë që pas divorcit, Evropa dhe Amerika përfundimisht të bëhen përsëri miq të mirë. Kjo ka ardhur me kuptimin e dhimbshëm, se edhe në skenarin më të mirë, evropianët do të përballen vetëm me kërcënimin nga Rusia (i cili fillon, por nuk mbaron në Ukrainë).
Ndërkohë, në skenarin më të keq, ata do të përballen me kërcënimin e kombinuar që vjen nga Moska dhe Uashingtoni, që punojnë së bashku për të rishikuar rendin global të siguri. Kur Trump u rizgjodh president në vitin 2024, shumë shpresuan se përçarja do të ishte e ngjashme me mandatin e tij të parë, kur dëmi ndaj aleancës transatlantike u mbajt nën kontroll.
Megjithatë, pas fitores së tij të dytë, u bë e qartë se këtë herë Trumpizmi ishte më agresiv dhe i vendosur për të sfiduar normat institucionale. Në fillim evropianët u mbështetën te paparashikueshmëria e tij, duke shpresuar se gjërat nuk do të shkonin aq keq sa parashikonin kritikët.
Për të shpëtuar marrëdhënien, Evropa përdori dy taktika: lajkatimin dhe blerjen e kohës. Udhëheqësit evropianë u përpoqën të fitonin simpatinë e Trumpit përmes gjesteve simbolike. Kështu kryeministri britanik Keir Starmer e ftoi atë për një vizitë shtetërore. Kancelari gjerman Fridrih Merc i dërgoi një certifikatë lindjeje të gjyshit të tij. Ndërsa Mark Rute, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, e quajti Trumpin “babain” e aleancës, duke e lëvduar për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga aleatët.
Ideja ishte të blihej kohë derisa të kalonte “stuhia” Trump. Kjo diplomaci, synonte të zbehte pasojat e samiteve si ai i Alaskës me Putinin. Megjithatë, truku funksionoi vetëm pjesërisht, sepse agresiviteti i Putinit i tejkalonte shpesh kufijtë që mund t’i toleronte Trump.
Në planin e sigurisë, evropianët e pranuan logjikën e “zhvendosjes së barrës”. U bë e qartë se nuk kishte arsye pse 500 milionë evropianë të pasur, duhej të vareshin për mbrojtjen e tyre nga 300 milionë amerikanë.
Donald Tusk theksoi se Evropa duhet të jetë në gjendje të përballet vetë me Rusinë. Por pavarësisht rritjes së buxheteve, Evropa mbeti e fragmentuar. Në vend të integrimit, vendet blenë më shumë armatime amerikane për të zbutur presionin e tarifave tregtare të Trump.
Varësia nga SHBA-ja u rrit edhe në fushën e energjisë përmes gazit të lëngshëm. Edhe pse sinjalet e para të administratës Trump ishin shqetësuese – si pretendimet ndaj Grenlandës apo përdorimi i presionit ekonomik – Evropa vazhdoi ta trajtonte krizën si diçka kalimtare që do të zhdukej pas vitit 2028.
Megjithatë, veprimet e Trump, nga poshtërimi i Zelenskit deri tek mirëkuptimi me Putinin, treguan një skenar koherent: një Amerikë që e sheh Evropën si një zonë për t’u ndarë në sfera influence.
Magjepsja e Trump me Rusinë e Vladimir Putinit mbetet e fortë, pavarësisht mungesës së përsëritur të reciprocitetit nga ana e Kremlinit, duke e rritur gjithmonë dhe qëllimisht nivelin e luftës sa herë që Trump i trumbeton botës se paqja në Ukrainë është më në fund e arritshme dhe kjo falë ndërmjetësimit të tij.
Administrata Trump u ka thënë evropianëve në të gjitha mënyrat e mundshme, madje duke e shkruar qartë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të fundvitit të kaluar, se qëllimi i saj është t’i japë fund marrëdhënies transatlantike tradicionale.
Vetëm pas të gjitha këtyre zhvillimeve, evropianët po i hapin sytë me pahir ndaj këtij realiteti. Sot mund të takosh rrallë një udhëheqës të lartë evropian, që e mohon se përçarja transatlantike është strukturore.
Kjo jo sepse Trumpizmi do të zgjasë përgjithmonë, por sepse edhe pasi të kalojë, ethet autoritare të Amerikës, varësitë e Evropës në fushat e mbrojtjes dhe teknologjisë mund të përdoren si armë kundër tyre.
Në këtë kuptim, kërcënimi që një Amerikë jo bashkëpunuese paraqet për Brukselin, është edhe më ekzistencial sesa ai që paraqet një lojtar ushtarak në fund të fundit mediokër si Rusia.
Ndërgjegjësimi në rrethe private nuk ende është shprehur publikisht – e aq më pak kolektivisht – nga udhëheqësit kryesorë të Evropës. Megjithatë, edhe nëse do të duhet pak kohë që ndryshimi të reflektohet në fushat e politikave dhe vrullit institucional, herët a vonë do të bëhet e qartë se Evropa po lëviz në drejtim të vetëmjaftueshmërisë.
Kjo nuk do të thotë se masat që ajo miraton do të jenë në kohën e duhur, të përshtatshme ose të mjaftueshme. Në fakt, është e vështirë të parashikohet nëse do të jenë të tilla. Por është edhe më e vështirë të besohet se evropianët do të kënaqen me një vetëvrasje të ngadaltë dhe kolektive.
Sado të dobët dhe të përçarë që mund të jenë, me 80 vjet pafuqi të mësuar, përçarja transatlantike nuk do të shënojë fundin e Evropës. Përkundrazi, ajo do të paralajmërojë një fillim të ri për kontinentin./ Përshtati “Pamfleti”, nga “The Insider”
Shënim: Nathalie Tocci, drejtore e “Istituto Affari Internazionali” në Itali dhe profesore në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins.
