Shkruar nga Gjergj Zefi
Operacionet në Venezuelë dhe Iran si pjesë e planit për të mbyllur ‘saraçineskën’ energjetike të Pekinit; sa rrezikon rajoni ynë në përplasjen e re të superfuqive?
Donald Trump erdhi në mandatin e dytë të tij në Shtëpinë e Bardhë, me një premtim për paqen në botë, madje kërkoi me ngulm edhe Nobelin nga Akademia Norvegjeze, duke u mërzitur shumë, se nuk ja dhanë.
Në daljet e njëpasnjëshme shpallte me pompozitet që ka mbyllur 8 luftra, duke i ngatërruar shpesh vendet e botës, mes tyre edhe Shqipërinë.
Gafë me të cilën u tall edhe kryeministri ynë gojështhurur, që mori mërinë e enturazhit të burrit portokalli që drejton vendin më të fuqishëm të botës.
Më vonë, fiks në mbushjen e vitit të parë në krye Shtëpisë së Bardhë, me operacionin e arrestimit të Nicholas Maduros, u shfaq një Trump luftarak, i cili foli gjithnjë e më shumë për “armë të mrekullueshme e të frikshme”, dhe për viktima që konsiderohen si “dëme anësore”. Siç ishte vrasja e 32 ushtarakëve kubanë që ruanin Presidentin e Venezuelës në natën e 3 janarit. Për të ardhur tek sulmet me B2-shë mbi bunkerin Iranian në veri të Teheranit, e të shtunën në operacionin masiv e preciz të vrasjes së kreut të regjimit Iranian, Ajatollahut Ali Khamenei, së bashku me kupolën ushtarake dhe inteligjencen e Iranit.
Çfarë përbën realisht kjo luftë e Donald Trumpit dhe çfarë pasojash do të ketë në botë, dhe si do të shfaqet reaksioni i saj në rajonin tone, përfshirë Shqipërinë?
Donald Trump nuk erdhi në krye të vendit të tij, falë zotësisë dhe shkathtësisë së tij politike. Ai është pjesë e një lobi shumë të fuqishëm dhe të rëndësishëm në kupolën e lartë të manjatëve të industrisë dhe financave të SHBA.
Të cilët, qoftë herën e parë në 2016-n, qoftë në mandatin e dytë në 2020, përgatitën strategji të thelluara dhe mjaft precize, se si do ta arrinin fitoren dhe çfarë do të bënin nëse vijnë në pushtet.
Në zgjedhjet e fundit, fondacioni konservator Heritage, i financuar nga bosët e korporatave të Silicon Valley, botoi platformën strategjike: “Mandate for Leadership: The Conservative Promise”, ku tregohej se çfarë do të bënte në mandatin e dytë presidenti Donald Trump.
Votat nga shtresa të ulëta të shoqërisë, siç janë banorët e goditur nga deindustrializmi i “Amerikës së thellë”, apo edhe mjaft komuniteteve emigrante në SHBA, ishin të demosdoshme për të fituar. Ndaj u luajt me karremin e “paqes në botë” dhe mbylljen e Amerikës në ‘zhguallin’ e vet. Kjo manovër u bë për të treguar se klasa e re politike është kundër kastës së vjetër liberale që ka hapur luftëra e ka punuar kundër njerëzve të thjeshtë.
E gjithë kjo narrativë ishte një fasadë, pasi në realitet, politikën më të rëndësishme në SHBA e bëjnë aparatet e saj federale. Ku në krye qëndrojnë Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni, pastaj CIA etj., etj.
Shtetet e Bashkuara, edhe pse hiqen si një vend kapitalist me më pak ndërhyrje shtetërore, kanë administratën federale më të madhe në botë.
Janë rreth 5 milionë persona, të paguar në agjencitë federale, dhe pjesa më e madhe e tyre janë mendje të mprehta dhe studiues eremitë, që hartojnë plane afatshkurtëra, afat mesme apo afatgjata të jetës së Perandorisë më të madhe në botë.
Janë këta aparate, të cilat prej më shumë se një dekade e gjysëm kanë përcaktuar se rreziku më i madh, apo sfiduesi kryesor i SHBA është Kina. E cila ka arritur me shpejtësi të bllokojë fuqinë imperiale të Amerikës, aq sa të gjithë po flasin për ditët e fundit të saj.
Masat e ndërmarra nga Presidenca Trump për të ndalur rrezikun e Kinës morën një fuqi të madhe që nga takimi me Vladimir Putin në bazën ushtarake të Anchorage në Alaskë.
Në atë takim është joshur Putin për t’u shkëputur nga varësia ndaj Kinës, duke i dhënë mundësi për të ruajtur fuqinë e dinjitetin.
Dhe për të sulmuar një armik, lëvizja kryesore është ndërprerja e rrugëve dhe mjeteve të furnizimit.
Operacioni në Venezuelë ishte një goditje tipike kundër Kinës, pasi e gjithë nafta e Maduros shkonte në perandorinë aziatike. Madje një natë para se të kapej Maduro, sapo kishte pritur një delegacion të lartë kinez. Me operacionin në Venezuelë, kufizohet influence kineze në Karaibe, Panama e mbi të gjitha në Meksikë, e cila është një partner i ngushtë i Kinës.
Nga ana tjetër, tërheqja e Pakistanit në gjirin e Bordit të Paqes është një tjetër lëvizje, e cila ka nisur herët, që në kohën kur atje u dërgua ambassador Donald Lu, për të bërë ‘çorap’ udhëheqjen pro kineze.
Disa ditë para ndërhyrjes në Iran, Pakistani sulmoi Aftanistanin, vendin të cilin SHBA ja dorëzoi Pekinit, pasi ky i fundit hipotekoi rezervat e mineraleve të rralla të vendit të egër, por edhe siguroi udhëkryqin e rrugëve energjetike.
Ndërkaq, vrasja e Ali Khameneit, përveç një lëvizje në shumë drejtime, synon bllokimin e partneritetit me Kinën. E cila merr çdo ditë nga Irani 10 milionë tonë fuqi naftë, një sasi gjigande, e domosdoshme për industrinë teknologjike kineze.
Trump, me këto lëvizje synon të vërë në kontroll burimet e rëndësishme të makinerisë gjigande kineze, e ta kondicinojë sa më shumë saraçineskën e rivalit të tij.
Por a mund t’ja arrijë?
A do të sjellin këto operacione që ndërmori objektivin që synon?
Pikërisht kjo është enigma, pasi vrasja e Khameneit mund të sjellë në Iran një kaos të madh, dhe Garda Revolucionare që mund të marrë në dorë pushtetin, mund ta radikalizojë edhe më shumë gjendjen. E vendi mund të përfshihet në një kaos siç ndodhi me Lindjen e Mesme gjatë periudhës së “Pranverës Arabe”. Ku rënia e diktatorëve nuk solli asnjë pasojë pozitive për botën, madje e përkeqësoi.
Edhe atëherë, Obama kishte të njëjtin synim, të dobësonte Kinën, pasi Rusinë me një arrogancë imperiale e quajti “fuqi rajonale”.
Nga ana tjetër Kina nuk do të rrijë duarkryq, do të përgjigjet me metodat e saj “të buta”, duke përdorur paratë dhe influencën kkudo. Siç e ka vepruar edhe në Ballkan; në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, por edhe në Kosovë e Shqipëri. Ku ka vatra të forta influence.
Ndërkohë, tek ne ndodhet edhe opozita iraniane muxhahidinëve, ajo e Mirjam Rajavit, e cia është një prej aleatëve të Perëndimit.
Nuk ka qenë e rastësishme furia kibernetike ndaj Shqipërisë, siç edhe operimi i disa qarqeve mediatike, “analistëve” e “profesorëve” që kanë mbushur televizionet, dhe ngrenë Iranin e Kinën e sulmojnë Amerikën “që po bie”.
