Çokollata është një nga ëmbëlsirat më të dashura në botë, por jo çdo çokollatë shijohet njësoj. Ajo që për shumë amerikanë është një shije e zakonshme, për konsumatorët europianë shpesh është krejtësisht e çuditshme, madje edhe e pakëndshme. Por pse ndodh kjo?
Ndërsa kakaon e sollën kolonët nga Amerika Latine në shekullin e 17-të si një pije, çokollata e trashë dhe e ëmbël që njohim sot në SHBA u përhap më vonë nga prodhuesit zviceranë të çokollatës, shkruan Deutsche Welle.
Shumë marka amerikane fokusohen në jetëgjatësi dhe përpunim industrial. Një nga arsyet pse amerikanët preferojnë çokollata me shije më të fortë është përdorimi i acidit butirik, një përbërës që i jep çokollatës një shije të thartë apo “të djegur”, ndjesi që shpesh u duket e çuditshme europianëve.
Përveç kësaj, çokollatat amerikane përmbajnë zakonisht shumë sheqer, shurup misri dhe yndyrna bimore, ndërsa kanë forma të mëdha dhe të trasha me mbushje të ndryshme.
Në Zvicër, Belgjikë, Francë dhe Gjermani, çokollata është pjesë e kulturës gastronomike. Prodhuesit europianë zbatojnë standarde të rrepta për përbërjen: çokollata e qumështit duhet të ketë të paktën 25% përbërës kakao dhe të përdorë gjalpë kakaoje si yndyrë kryesore.
“Vlerësimi për çokollatën cilësore po rritet gjithnjë e më shumë, edhe pse çokollata me qumësht vazhdon të jetë më e konsumuara, sepse lidhet me kujtimet e fëmijërisë”, thotë Moser, duke shtuar se çokollata e zezë po fiton popullaritet në moshën e madhe.
Në Indi, konsumi i çokollatës po rritet me ritme të shpejta, sidomos në mesin e të rinjve. Julia Moser thekson se çokollata indiane është një “sekret i vogël” për adhuruesit e shijeve të reja, për shkak të fasuleve të kakaos që japin nota frutash dhe arrash.
Në Japoni, ndërkohë, KitKat me shije të pazakonta – si matcha, salcë soje apo wasabi – janë kthyer në kult.
Afrika Perëndimore është zemra e prodhimit të kakaos, me Bregun e Fildishtë dhe Ganën si liderë. Por konsumi i çokollatës është ende i ulët për shkak të kushteve klimatike dhe mungesës së përpunimit lokal.
Pavarësisht kënaqësisë që ofron çokollata, nuk mund të anashkalohet historia e saj e errët. Nga kolonializmi deri te shfrytëzimi i punëtorëve sot, shumë fermerë kakaoje punojnë në kushte të vështira dhe paguhen shumë pak për prodhimin që i sjell miliarda kompanive ndërkombëtare.