Më 17 qershor 2025, në Qendrën Kulturore Rinore në Shkup u hap ekspozita kolektive “Profesorë + Studentë”, një ngjarje tashmë tradicionale që promovon dialogun dhe bashkëpunimin midis krijuesve akademikë dhe talenteve të rinj nga institucionet e arsimit të lartë artistik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të muajit qershor.
Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës u përfaqësua në këtë ekspozitë përmes pjesëmarrjes së profesorëve të njohur Prof. Ord. Reshat Ameti dhe Prof. Ord. Nora Halimi, si dhe të studenteve të talentuara Gentiana Hasani dhe Liza Abazi, të cilat prezantuan punimet e tyre në fushat e pikturës dhe dizajnit.
Qëllimi i kësaj ekspozite është të theksojë rëndësinë e ndërlidhjes midis përvojës së artistëve të konsoliduar dhe energjisë krijuese të studentëve, duke krijuar një hapësirë frymëzuese për shkëmbim idesh, eksperimentim dhe zhvillim artistik.
Për studentët, kjo pjesëmarrje ishte një mundësi e vyer për të prezantuar punën e tyre në një ambient publik dhe profesional, ndërsa profesorët ndanë vizionin dhe përvojën e tyre me brezin e ri, duke luajtur një rol thelbësor si mentorë dhe udhërrëfyes.
Universiteti i Tetovës përgëzon të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin, kreativitetin dhe përfaqësimin dinjitoz, dhe e inkurajon organizimin e mëtejshëm të iniciativave të tilla që lidhin arsimin universitar me komunitetin artistik dhe publikun artdashës.




