Sindikata e Pavarur e Policisë në Maqedoninë e Veriut ka ngritur zërin kundër siç thonë, diskriminimit sistematik dhe pamundësimit për avancim në karrierë të policëve shqiptar.
Nëpërmjet një deklarate nga Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm, Florim Alimi, theksohet se një numër i konsiderueshëm i policëve, pavarësisht përvojës së gjatë profesionale dhe kualifikimeve të nevojshme, nuk kanë arritur të avancojnë në detyrë. Ata i shqetëson fakti se në vendbanime me shumicë shqiptare numri i policëve dhe policëve në detyra udhëheqëse është i barabartë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ndërsa në vendbanime ku shqiptarët janë pakicë as që vijnë parasysh të jenë në poste më të larta sikur maqedonasit në vendet e shqiptarëve.
“Avancimi i kuadrit shqiptarë nuk është i mjaftueshëm. Sidomos në kuadrin menaxhues, udhëheqës në nivele më të larta është më i theksuar. Më shumë diskrimin është vërejtur në Manastir dhe disa qytete ku shqiptarët janë në numër më të vogël, si dhe në Ohër, Prilep që qëndrojnë shumë keq”, deklaroi Florim Alimi, zv/sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate për PortalinX.
“Në kuadrin udhëheqës mungon numri sipas vendeve. Për shembull Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga, ju them me përgjegjësi nga vizitat që i bëjmë sipas përqindjes së popullatës në nivel lokal, do duhej menaxhmenti të jenë i rregulluar me raportin 80 / 20. Por në shumicën e rasteve kemi raportin 1/1, domethënë dy shefa të turnit shqiptar, dy maqedonas, e mos të bisedojmë në vende më të larta. Mesiguri ka ndonjë qëllim ,prandaj kërkova edhe takim zyrtar me zv.ministrin Iseni, një zyrtar me funksionin të lartë që të shqyrtojë këtë shqetësim të kuadrit shqiptarë”, deklaroi Alimi.
Alimi thekson se ky problem nuk ndikon vetëm negativisht në moralin dhe motivimin e punonjësve, por gjithashtu krijon një ndjenjë të qartë diskriminimi dhe pabarazie brenda sistemit. Ai sjell si shembull rastin e tij personal: me mbi 23 vite përvojë pune dhe të gjitha kualifikimet e duhura, dhe vazhdon të mbetet pa mundësi avancimi.
Sindikata thekson angazhimin e saj për të përfaqësuar në mënyrë të drejtë të gjithë punonjësit e policisë dhe kërkon nga autoritetet kompetente ndërmarrjen e masave konkrete për të siguruar një trajtim të barabartë për çdo nëpunës, në përputhje me përvojën, përkushtimin dhe kontributin profesional të secilit.