Një monedhë amerikane dixhitale në xhepat tanë; risi teknologjike apo kërcënim për ekonominë kombëtare…
Në një kohë kur dominanca globale e dollarit amerikan po vihet në pikëpyetje nga borxhi në rritje i SHBA-së, luftërat tregtare dhe rritja e fuqive rivale, Uashingtoni ka gjetur një aleat të ri për të ruajtur epërsinë monetare: monedhat dixhitale të lidhura me dollarin, të njohura si stablecoin.
Propozimi i fundit në Kongresin Amerikan, i quajtur “GENIUS Act”, synon të krijojë një kuadër të favorshëm për licencimin dhe mbikëqyrjen e stablecoin-ëve të mbështetur nga dollari. Sipas mbështetësve, kjo iniciativë do ta bëjë më të lehtë për kompanitë financiare të emetojnë monedha digjitale të qëndrueshme, të konvertueshme në çdo moment në dollarë fizikë ose dixhitalë. Idealisht, kjo do të përforconte përdorimin global të dollarit në epokën dixhitale.
Por pikërisht këtu lindin dilemat më të mëdha. A janë këto monedha realisht të sigurta? A mund të besojmë se pas çdo stablecoini qëndron një rezervë e likuiduar dhe e sigurt? Në rast paniku, kush do ta mbulojë deficitin nëse mijëra përdorues tërhiqen njëkohësisht?
Përtej anës teknike, problemi është thellësisht politik. Nëse një stablecoin i mbështetur nga dollari fillon të përdoret masivisht në vende me ekonomi të brishtë, përfshirë rajonin tonë, çfarë ndodh me politikën monetare të atij vendi?
A do të kenë më kuptim normat e interesit, kontrolli i inflacionit, apo vetë fuqia e bankës qendrore?
Nëse njerëzit fillojnë të kursejnë, të paguajnë dhe të investojnë përmes stablecoin-ëve të huaj, atëherë sovraniteti financiar i shtetit praktikisht do të avullojë.
Evropa, e ndërgjegjshme për këtë rrezik, ka reaguar përmes rregullores MiCA, e cila vendos kritere strikte për emetimin e aseteve digjitale dhe kufizon përdorimin e stablecoin-ëve të huaj pa autorizim të BE-së.
Po Shqipëria? Po Kosova? A janë institucionet tona gati të përballen me këtë valë?
Deri tani, askush nuk ka një plan konkret për mënyrën se si do të trajtohen stablecoin-ët në hapësirën shqiptare.
Banka e Shqipërisë ka eksperimentuar me teknologjitë e pagesave, por nuk ka lëshuar ndonjë qëndrim për rregullimin e monedhave dixhitale të huaja. Kjo mungesë veprimi mund të kthehet në rrezik të madh, sidomos nëse qytetarët nisin t’i përdorin masivisht këto mjete jashtë kuadrit ligjor.
Një zgjidhje mund të jetë zhvillimi i një monedhe dixhitale të emetuar nga vetë banka qendrore; një lloj “leku digjital” që do të mundësonte efikasitet të lartë në pagesa, transparencë dhe kontroll monetar. Kjo është rruga që po ndjekin vende si Kina, Suedia, madje dhe Bashkimi Evropian përmes projektit të euros dixhitale.
Në fund, nuk është fjala për teknologji, por për pushtet. Kush kontrollon monedhën, kontrollon ekonominë. Nëse stablecoin-ët e dollarit pushtojnë tregjet tona, atëherë do të jetë Uashingtoni, ai që do të diktojë ritmin e ekonomisë sonë.
Po vjen Dollari Digjital!
