Petullat e Strazhës prej dekadash janë kthyer në simbol të këtij kalimi malor midis Gostivarit dhe Kërçovës, duke u shndërruar në stacion të domosdoshëm për udhëtarët që kalojnë aty. Përveç traditës gastronomike, shifrat tregojnë se ky vend është edhe një biznes shumë fitimprurës: vetëm vitin e kaluar, vizitorët kanë shpenzuar rreth 2,04 milionë euro, ndërsa dy kompanitë që operojnë aty kanë realizuar fitim neto prej 434 mijë euro.
Në krahasim me vitin 2023, qarkullimi ka rënë me rreth 6,7 për qind, por fitimi është rritur me mbi 27 për qind, sipas analizës së portalit “Pari” në bashkëpunim me “Biznis Mrezha”, përcjell PressOnline.al.
Dy kompani, një traditë
Tradita e petullave në Strazhë ruhet nga dy kompani: Ratan Construction Group (e njohur si “Stanica Strazha”) dhe Euro-Komerc-5 (me markën e njohur “Mekicite od Strazha”). Të dyja ofrojnë të njëjtin produkt bazë – petullat e shijshme të shoqëruara me djathë deleje – por kanë pasur zhvillim të ndryshëm financiar.
“Stanica Strazha” ka pasur luhatje në qarkullim dhe fitim. Pas një kulminacioni prej 780 mijë eurosh të ardhura në vitin 2022, vitin e kaluar realizoi mbi gjysmë milioni euro të ardhura dhe fitim rekord prej 118 mijë euro. Fitimi është trefishuar, ndërsa numri i të punësuarve u rrit në 9, me një pagë mesatare mujore prej rreth 20.500 denarësh.
“Mekicite od Strazha”, me traditë që daton nga viti 1942, kanë ruajtur stabilitet dhe rritje të qëndrueshme. Në vitin 2024 realizuan të ardhura prej 1,5 milionë euro dhe fitim prej 316 mijë euro. Pavarësisht uljes së numrit të të punësuarve (nga 29 në vitin 2020 në 20 vitin e kaluar), produktiviteti për punëtor është rritur ndjeshëm, duke arritur në 75 mijë euro të ardhura për secilin. Paga mesatare ishte rreth 24.500 denarë.
Simbol i udhëtarëve, por edhe me kritika
Edhe pse theksi është te petullat, të dy lokalet ofrojnë edhe gjellë tradicionale si gjomleze, byrekë, ëmbëlsira e pije. Vlerësohet se çdo vit mbi 300 mijë udhëtarë ndalen në Strazhë.
Shumë vizitorë thonë se çmimet janë të larta, por shija ia vlen. Megjithatë, në komentet e publikuara online nuk mungojnë kritikat, kryesisht për higjienën e tualeteve dhe cilësinë e shërbimit. Sipas analistëve, përmirësimi i këtyre mangësive mund të rrisë edhe më shumë qarkullimin, duke e bërë Strazhën një shembull edhe më të qartë të një biznesi fitimprurës “në kalim”./PressOnline