Shpërbërja e rendit ndërkombëtar nuk nisi në vitin 2016, por i ka rrënjët në krizat energjetike dhe gjeopolitike të vitit 2005. Ardhja e Donald Trumpit në pushte,t vetëm sa ka intensifikuar proceset e përçarjes që kishin nisur prej dekadash. Ky kaos i ri, po formëson një botë ku burimet e energjisë dhe kontrolli i borxhit janë bërë armët kryesore të fuqive të mëdha.
Cilat forca po e diktojnë politikën globale? Këtë vit, i ashtuquajturi rend ndërkombëtari bazuar në rregulla duket se po shpërbëhet papritur. Por sipas Helen Thompson, profesoreshë e ekonomisë politike në Universitetin e Kembrixhit dhe autore e librit më të fundit “Kaosi: Kohë të vështira në shekullin XXI”, bota ishte kaotike shumë kohë përpara se presidenti Trump të mbërrinte për herë të parë në Zyrën Ovale në vitin 2016. Që nga atëherë, ky kaos vetëm sa është intensifikuar. Në një intervistë për NYT, Thompson reflektoi mbi forcat që formësojnë politikën globale sot dhe në të ardhmen.
Librin tuaj të vitit 2022 e titulluat “Kaosi”. Në të, argumentuat se bota po përjetonte ndryshime të mëdha në politikën globale, edhe para vitit 2016. A mund ta shpjegoni pse?
Mendoj se viti 2005 ishte në shumë aspekte një vit vendimtar. Deri atëherë, kishte një sërë problemesh që paralajmëronin trazira. Në aspektin gjeopolitik, kishte përçarje të mëdha brenda NATO-s lidhur me luftën në Irak. Franca dhe Gjermania u rreshtuan në anën e Rusisë, ndërkohë që brenda SHBA-së kishte tashmë një presion dypartiak në Senat për një politikë tregtare më konfrontuese me Kinën.
Pastaj, nën sipërfaqe, kishte probleme të thella energjetike. Atë vit pati rënie të prodhimit të naftës, pikërisht në kohën kur po përshpejtohej kërkesa aziatike, veçanërisht nga Kina. Ngjarjet e vitit 2008 i përkeqësuan këto probleme, që nga kriza financiare te vetoja franceze dhe gjermane mbi anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO. Një nga efektet e krizës ekonomike të vitit 2008 ishte divergjenca ekonomike midis SHBA-së dhe Evropës, e cila u thellua më pas nga bumi i naftës argjilore (shale oil) në Amerikë. Po ashtu, pati një rritje të ndjeshme të tensioneve SHBA-Kinë.
Le të kalojmë te gjeopolitika e sotme. Sa seriozisht i merrni debatet e nisura javën e kaluar në Davos mbi rivalitetin e fuqive të mëdha dhe nevojën e vendeve më të vogla për t’u mbledhur bashkë e për të rezistuar?
Unë mendoj se bëhet fjalë për një përçarje dhe jo për një tranzicion. Rivaliteti midis fuqive të mëdha ka qenë real për më shumë se një dekadë. Edhe administrata Biden mendonte në këto terma.
Nëse kthehemi te Akti i Reduktimit të Inflacionit të vitit 2022, strategjia industrialiste nacionaliste e përfshirë në të u perceptua si një akt agresiv ndaj Evropës. Me Trumpin ndryshon vetëm gjuha dhe moria e komenteve provokuese e fyese. Ai ka një përbuzje të hapur për Evropën, dhe kjo është diçka e re, madje edhe në krahasim me mandatin e tij të parë.
Cilat janë elementet kryesore të rivalitetit midis fuqive të mëdha sot?
Konkurrenca gjeopolitike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është qendrore, por edhe Rusia mbetet shumë e rëndësishme. SHBA-ja dhe Kina janë rivale në teknologji, ndërsa SHBA-ja dhe Rusia rivalizojnë në energji.
Secila prej tyre po konkurron për ndikim në rajone të pasura me burime, nga Lindja e Mesme deri në Arktik. Besoj se konkurrenca për burimet e energjisë dhe kontrolli i tyre është thelbësor për politikën globale.
Një pjesë e madhe e historisë gjeopolitike të shekullit XX mund të shpjegohet në këto terma dhe nuk mendoj se shekulli XXI po zhvillohet ndryshe, ndonëse rezultatet deri tani janë mjaft të ndryshme. Nuk mund të kuptohet fuqia e sotme gjeopolitike e SHBA-së pa bumin e naftës argjilore që transformoi pozicionin e tyre energjetik.
SHBA-ja u bë shumë më agresive ndaj Evropës që nga mesi i viteve 2010, kur kompanitë amerikane të gazit mund të konkurronin me Gazpromin rus. Ata u bënë më pak të gatshëm të toleronin marrëdhënien gjermano-ruse të gazit dhe, nën presidencën Trump, ushtruan presion mbi Evropën për të blerë importe amerikane.
Kur kjo shoqërohet me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, rezultati është se Evropa sot është shumë më e varur nga SHBA-ja për energji sesa ishte para pak vitesh. Kjo e bën autonominë strategjike evropiane shumë më të vështirë sesa në vitin 2019, kur Macron deklaroi se ky duhet të ishte qëllimi i Evropës.
Po bazoheni në supozimin se bota ende kërkon burime nafte për aktivitetin ekonomik, apo jo?
Po. Sipas politikave aktuale, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që konsumi i naftës do të vazhdojë të rritet deri në vitin 2050. Konsumi i energjisë elektrike duhet të rritet si për elektrifikimin, ashtu edhe për të fuqizuar Inteligjencën Artificiale.
Edhe pse makinat elektrike ulin konsumin e naftës në transport, ka një rritje të nevojës për naftë në prodhim, pasi petrokimikatet janë më të rëndësishme në makinat elektrike sesa në ato me djegie.
A ka ende kapacitet për ndërtimin e aleancave midis “fuqive të mesme”, apo është një konkurrencë burimesh deri në fund?
Ka hapësirë për rreshtim të fuqive të mesme. Historikisht, Bashkimi Evropian u krijua pikërisht për t’i dhënë fund konkurrencës për burimet (si qymyri dhe çeliku) midis Francës dhe Gjermanisë.
Problemi i sotëm i Evropës është se ajo është e varfër në naftë, ndryshe nga Kanadaja. Në një botë ku dominojnë SHBA-ja dhe Kina, fuqitë e mesme janë detyruar të rindërtojnë lidhjet me Kinën për të ruajtur ekuilibrin.
Si ndikon ndërvarësia në stabilitetin global?
Bota është në një gjendje “ndërvarësie të tensionuar”. SHBA-ja ka borxhe, Kina ka nevojë për naftë, ndërsa Evropa varet nga energjia e jashtme. Ndryshe nga stabiliteti i fundit të Luftës së Ftohtë, sot burimet si metalet e rralla të Kinës apo gazi i SHBA-së po përdoren si armë gjeopolitike destabilizuese.
Kur ka shumë fuqi të mëdha importuese dhe asnjë forcë dominuese që t’i frenojë, rreziku për konflikt të hapur rritet, ashtu siç ndodhi në gjysmën e parë të shekullit XX.
Po ndikimi i Kinës në Amerikën Latine?
Ky është një kërcënim direkt për Doktrinën Monroe. Administrata Trump, me njerëz si Sekretari i Shtetit Marco Rubio, synon ta dëbojë Kinën nga Hemisfera Perëndimore. Prania ekonomike kineze në Meksikë dhe Kanada u ka dhënë atyre mundësinë të anashkalojnë tarifat proteksioniste amerikane, gjë që Uashingtoni nuk mund ta tolerojë më.
Si ndikon borxhi i SHBA-së në politikën globale?
Borxhi është një problem serioz që detyron Trumpin të kërkojë që Evropa të marrë mbi vete kostot e mbrojtjes. SHBA-ja mund të përdorë “shkëmbimet e dollarit” (dollar swaps) si mjet disiplinues; kërcënimi për t’i ndalur ato në kohë krize i detyron aleatët të binden. Nëse Evropa do të tentonte të shiste borxhin amerikan si kundërpërgjigje, do të rrezikonte një krizë financiare që do ta dëmtonte rëndë edhe veten.
Cili është roli i rrezikut në lidershipin e Trump?
Trump lulëzon psikologjikisht nga ndërmarrja e rrezikut. Në një mjedis gjeopolitik ku opsionet e sigurta nuk ekzistojnë më, ai synon të sjellë ndryshime vetëm përmes kapacitetit të tij për të krijuar përçarje dhe kaos të qëllimshëm./ “New York Times”
