Lajme

Përkëdhelja amerikane për autokratët dhe rreziku mbi Ballkan!

Shkruar nga Diplomatico

Nga Orbán te Dodik: model i ri amerikan i politikës së jashtme…

Donald Trump po formëson një politikë të jashtme që po trondit themelet tradicionale të diplomacisë perëndimore. Në vend të mbrojtjes së demokracive liberale dhe sundimit të ligjit, administrata Trump duket gjithnjë e më e gatshme të bashkëpunojë me liderë autoritarë, duke i toleruar, madje duke i shpërblyer ata.

Takimi i fundit në Uashington mes Trump dhe kryeministrit hungarez Viktor Orbán është dëshmia më e qartë e kësaj filozofie të re. Presidenti amerikan priti në Shtëpinë e Bardhë një nga figurat më të kontestuara në Bashkimin Europian: liderin që ka kufizuar median e lirë, ka kapur gjyqësorin dhe ka ndërtuar një sistem që Brukseli e përkufizon si “demokraci jo-liberale”. Pasi u takuan, SHBA nën drejtimin e Trump i dha Hungarisë përjashtim nga sanksionet mbi energjinë ruse, një vendim që praktikisht i jep Orbánit lirinë të blejë gaz dhe naftë nga Moska pa pasoja. Ky veprim u përjetua si sinjal politik: në epokën Trump, “autokratët miqësorë” nuk ndëshkohen, përkundrazi, shpërblehen.

Një tjetër shembull është Bosnja, ku lideri serb i entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, përfitoi heqjen e sanksioneve amerikane bashkë me disa prej aleatëve të tij të afërt. Dodik, prej kohësh në listën e zezë për retorikë separatiste dhe lidhje me Moskën, është një nga figurat që sfidon haptazi Marrëveshjen e Dejtonit dhe stabilitetin e Ballkanit. Megjithatë, administrata Trump zgjodhi ta trajtojë me butësi, duke sinjalizuar se pragmatizmi, apo më saktë, simpatia ndaj liderëve të fortë, peshon më shumë se parimet e demokracisë.

Ky model po reflektohet edhe në mënyrën se si Uashingtoni po sillet me Shqipërinë. Për herë të parë pas shumë vitesh, marrëdhëniet me SHBA-të duken të ftohta dhe të paqartë. Posti i ambasadorit amerikan në Tiranë mbetet bosh, ndërsa Departamenti i Shtetit ka reduktuar praninë e tij aktive në çështjet e brendshme shqiptare. Skandalet politike, abuzimet me fondet publike, sulmet ndaj mediave dhe drejtësisë, dikur tema të ndjeshme për çdo ambasador amerikan, sot kalojnë në heshtje.

Kjo heshtje amerikane e ka dobësuar ndjeshëm ndikimin moral që SHBA kishte në reformimin e shtetit shqiptar. Pa një sy vëzhgues aktiv nga Uashingtoni, standardet e demokracisë dhe transparencës rrezikojnë të zbehen nën justifikimin e “stabilitetit rajonal”.

E njëjta gjë vlen dhe në Serbi. Protestat nuk ndalen dhe populli është ngritur kundër Vuçiç, mirëpo SHBA rri e distancuar.

Duket sikur Trump e sheh politikën e jashtme si një rrjet marrëdhëniesh personale, jo si një sistem vlerash. Pra ai respekton ata që qeverisin me forcë, që kontrollojnë sistemin dhe që nuk përkulen përballë kritikave ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, demokracitë e brishta të Ballkanit janë në rrezik. Nëse SHBA, shtylla historike e reformave demokratike në rajon, zgjedh të mos flasë, atëherë kush do ta mbrojë shtetin e së drejtës dhe liritë themelore? Pa garancinë amerikane, Shqipëria mund të rrëshqasë drejt një forme qeverisjeje që ruan fasadën demokratike, por e boshatis përmbajtjen. Dhe në një klimë ku autokratët po fitojnë terren, heshtja është miratim.

DIK-300x250-AL
3sgIgLJ.png