Lajme

Përfituese të Planit të Rritjes së BE-së, 87,7 milionë euro për Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi

Një pako prej 87,7 milionë eurosh për investime në energji të pastër në Ballkanin Perëndimor e ka miratuar Bordi Operacional i WBIF-it (Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor), propozuar nga Komisioni Evropian.

Ky investim milionësh që prek vendet e rajonit, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, do të bëhet në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Investimet do të ndihmojnë në forcimin e rrjeteve të energjisë, përmirësimin e hidocentraleve ekzistuese dhe do të ofrohet zgjidhje diellore për ngrohje dhe do të zbatohen përmes WBIF-it në bashkëpunim me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Nga fondi për vendet e rajonit, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë, një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi, por që nuk i ka marrë akoma për shkak të moskonstituimit të Kuvendit për të ratifikuar marrëveshjen e nevojshme për përfitimin e fondeve.

Në një mesazh nga Komisioni Evropian gjatë fundjavës, u theksua se Plani i Rritjes është instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe “është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që vendi të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ky plan ofron për qytetarët e tij”.

Po ashtu, theksohet se vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve, mund të bëhet lirimi i fondeve.

Plani, i miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së në maj të vitit 2024 dhe i aprovuar përfundimisht në tetor të po atij viti, kap vlerën prej gjashtë miliardë eurosh. Ai përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027.

Një pjesë e këtyre fondeve do të jepet si grante dhe pjesa tjetër në formën e kredive me kushte të favorshme.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png