Lajme

Për të ndryshuar Iranin nuk mjaftojnë bombat dhe raketat

Kriza iraniane nuk zgjidhet me bombardime. Përballja me regjimin kërkon strategji afatgjata, mbështetje për shoqërinë civile dhe presion diplomatik, nëse synohet vërtet një e ardhme më e mirë për popullin iranian…

Është e pamundur të dihet nëse presidenti amerikan, Donald Trump, do të realizojë kërcënimet e tij për të goditur Iranin, si mund të hakmerret regjimi apo cilat do të jenë pasojat afatgjata.

Ndërkohë, më e sigurt është se neutralizimi i kërcënimit që paraqet Irani dhe nxitja e një të ardhmeje më të mirë për popullin e tij do të kërkojë më shumë se bomba dhe raketa. Teksa bisedimet e mundshme bartin plot pasiguri, po rriten shqetësimet për një sulm ushtarak amerikan.

Në fillim të muajit të kaluar, presidenti Trump e paralajmëroi qeverinë iraniane të mos shtypte protestuesit që mbushën rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera. Por pastaj dështoi të reagojë kur forcat e sigurisë masakruan mijëra prej tyre.

Ndërsa një grup avionësh sulmues i vendosur në një aeroplanmbajtëse gjendet tashmë në rajon, së bashku me forca të tjera për të mbrojtur bazat amerikane dhe aleatët kundër raketave iraniane, janë rritur opsionet që ka në dispozicion shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, qëllimi i çdo lloj veprimi mbetet i paqartë. A synon ai rrëzimin e regjimit aktual iranian? Degradimin e asaj çfarë ka mbetur nga programi bërthamor dhe kapaciteti i prodhimit të raketave?

Ndëshkimin e Gardës Revolucionare Islamike dhe paramilitarëve të saj të rrugës, që udhëhoqën shtypjen e fundit? Apo thjesht për të provuar se kërcënimet e Shteteve të Bashkuara nuk janë boshe?

Ndërsa Trump ka thënë se është i gatshëm të negociojë, nuk është ende e qartë se cilat lëshime mund ta kënaqin atë. Nga ana tjetër, të pasigurta janë edhe rezultatet e mundshme të sulmeve ushtarake.

Vrasja e Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, mund ta unifikojë regjimin në vend që ta rrëzojë. Ndërkaq, shkatërrimi i fabrikave të raketave dhe i sistemeve të mbrojtjes ajrore do t’u ndihmonte më shumë aleatëve amerikanë në rajon sesa protestuesve iranianë.

Për të tronditur themelet e qeverisë iraniane do të duhej një fushatë ajrore e qëndrueshme. Por kjo do të rrezikonte shkaktimin e sulmeve hakmarrëse ndaj Izraelit dhe transportit tregtar në Gjirin Persik.

Në rast se sulmet do ta destabilizonin regjimin, mund të shpërthejë kaosi në një vend me mbi 90 milionë banorë. Në të njëjtën kohë, SHBA do të tregohej e pamatur nëse do të pranonte lëshime të kufizuara vetëm sa për të shpëtuar fytyrën dhe më pas të tërhiqej. Ndërsa protestuesit iranianë mund të jenë të frikësuar dhe të pikëlluar pas gjakderdhjes së muajit të kaluar, ata nuk janë qetësuar. Regjimi s’mund ta shpëtojë dot ekonominë nën sanksione të vazhdueshme dhe as nuk do të lehtësojë kufizimet e urryera sociale nën sundimin klerikal.

Zemërimi i akumuluar është i sigurt që do të shpërthejë sërish. Ndërkohë, një qeveri e paqëndrueshme mund të bëhet më shumë dhe jo më pak agresive, për të frenuar rebelimin e radikalëve të rinj.

Për të gjitha këto arsye, ndërsa Shtëpia e Bardhë përpiqet të qartësojë objektivat e menjëhershme, ajo duhet të mendojë përtej javëve të ardhshme. Kundërshtimi ndaj regjimit është i gjerë, por i larmishëm dhe pa udhëheqje.

Ndryshimi i vërtetë do të mbetet i paarritshëm derisa të shfaqen çarje brenda strukturës aktuale të pushtetit. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj duhet të bëjnë çfarë të munden për të nxitur këto ndarje.

Sanksionet ndaj zyrtarëve që udhëhoqën shtypjen e protestave, si dhe vendimi i Bashkimit Evropian për të shpallur organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike, janë hapa pozitivë.

Vendet perëndimore duhet të punojnë më fort për ta turpëruar Iranin ndërkombëtarisht, duke dëbuar diplomatët dhe duke identifikuar oficerët përgjegjës për vrasjet. Organizatat joqeveritare që po punojnë për të konfirmuar numrin e viktimave dhe për të ekspozuar krimet e regjimit meritojnë të mbështeten.

Ndërkohë, SHBA duhet të ofrojë stimuj, përfshirë mundësinë e lehtësimit të sanksioneve, për të gjithë ata që janë të gatshëm të shkëputen nga regjimi. Figura të shoqërisë civile janë bashkuar rreth kërkesës për një asamble kushtetuese të re, në mënyrë që vetë iranianët të vendosin çfarë forme qeverisjeje duan. SHBA-ja duhet të mbështetë përpjekjet e tyre./“Bloomberg”

3sgIgLJ.png