Pas reagimit dhe refuzimit të gjashtë këshilltarëve të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), të cilët kundërshtuan të firmosin vendimet për këshilltarë në Qytetin e Shkupit pasi ishin të përgatitura vetëm në gjuhën maqedonase, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka ndërmarrë masa për ta korrigjuar situatën.
KSHZ ka përgatitur edhe versionet në gjuhën shqipe të vendim-vërtetimeve, të cilat tashmë u janë dorëzuar këshilltarëve shqiptarë.
Ndërkohë, gjatë ditës, gjashtë këshilltarët e koalicionit VLEN kishin firmosur vendimet në formën fillestare, edhe pse ato nuk ishin të përgatitura në gjuhën shqipe.
Ky rast ka hapur sërish debatin mbi respektimin e barazisë gjuhësore në institucionet shtetërore dhe mbi mënyrën se si zbatohen ligjet për përdorimin e gjuhëve në praktikën administrative të Maqedonisë së Veriut.


