Ndonëse Ndërmarrja “Higjiena Komunale” nuk i grumbullon mbeturinat në terren, banorëve të tre fshatrave të Tetovës – Jedoarcë, Sotole dhe Otunjë, u dërgohen rregullisht fatura nga kjo ndërmarrje, raporton TV21.
Në këto fshatra jetojnë shumë pak banorë, pasi shumica prej tyre janë shpërngulur në qytet. Megjithatë, ata detyrohen të paguajnë për shërbime që nuk i marrin, vetëm sepse zotërojnë prona në këto vendbanime.
Banorët thonë se deri më sot askush nuk është interesuar të diskutojë këtë problem me ta. Ndërkohë, shumë prej tyre kanë akumuluar borxhe, dhe një pjesë janë dërguar te noteri apo përmbaruesi për mosshlyerje të faturave.
Banorja e Jedoarcës, Snezhana Stojanovska, deklaroi se nuk kanë as shporta për mbeturina, as nuk vijnë që t’i mbledhin, ndërkohë kërkojnë të paguhet shërbimi.
Juristi Gjoko Serafimosvki thotë se të gjithë banorët e thirrin për konsultim. Sipas tij palët duhet të kenë marrëveshje individuale me kompaninë që kryen shërbime.
Nga kompania Saubermacher thonë se ata kanë vendosur kontejner në fshatin Xhepçisht dhe se për këtë kanë një dakordësi me banorët.
Në fillim të vitit 2024, Komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshje me kompaninë Saubermacher, duke ndryshuar edhe metodologjinë e pagesës. Nga atëherë disa qytetarë u dërguan te noteri për mosshlyerje të faturave, ndërkohë që vetë qytetarët ankoheshin se nuk kishin pranuar fare fatura.
Ndryshe, përmes Forumit Austriako-Maqedonas për Mjedis Jetësor, Komuna e Tetovës dhe kompania slloveno-austriake Saubermacher në muajin mars kanë shënuar një vjetorin e operimit të kësaj kompanie në menaxhimin e mbeturinave në Tetovë. Palët shprehen të kënaqura me progresin, megjithatë ende mbetet shumë punë për tu bërë. Problem mbetet mospagesa e faturave nga një numër i qytetarëve , të cilët kanë marrë edhe vërejtje përmes noterit për pagesë të detyrueshme.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.