Europol ka nisur një operacion ndërkombëtar të gjerë në bashkëpunim me policinë ukrainase dhe moldave, për të hetuar mercenarët rusë të përfshirë në krime lufte në Ukrainë. Hetimi ka identifikuar 654 anëtarë të grupeve ushtarake private Wagner dhe Redut, të dyshuar për përdhunime, vrasje të civilëve dhe të burgosurve të luftës, si dhe përdorim të armëve të ndaluara ndërkombëtarisht.
Operacioni, i zhvilluar më 29 tetor, përfshiu 70 kontrolle shtëpish në Ukrainë dhe Moldavi, ku u sekuestruan armë, municione, uniforma, pajisje ushtarake, materiale propagandistike dhe prova digjitale, përfshirë video dhe fotografi që dokumentojnë përfshirjen e të dyshuarve në krime. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu qendra trajnimi dhe struktura komanduese që lidhen me grupet paramilitare ruse.
Sipas Europol, midis të dyshuarve janë shtetas të Ukrainës, Moldavisë, Kazakistanit, Uzbekistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit, Azerbajxhanit, Armenisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, të cilët dyshohet se kanë luftuar në Ukrainë dhe në Republikën Demokratike të Kongos si pjesë e formacioneve Wagner dhe Redut.
Autoritetet ukrainase kanë dorëzuar në Europol listën e 280 shtetasve të huaj të dyshuar për pjesëmarrje në luftime, përmes kanaleve të sigurta të komunikimit ndërkombëtar. Në bazë të provave, njëmbëdhjetë shtetas ukrainas janë tashmë të akuzuar për tradhti të lartë, pasi dyshohet se janë bashkuar me këto grupe paramilitare ruse.
Ky hetim shënon një nga operacionet më të mëdha të koordinuara ndonjëherë nga Europol kundër strukturave ushtarake private të lidhura me Kremlinin, dhe synon të zbardhë rrjetet ndërkombëtare të rekrutimit, financimit dhe logjistikës që mbështesin krimet e luftës në Ukrainë.


