Shkruar nga Davide Malacaria
Shefi i Mossadit në SHBA për të negociuar dëbimin “vullnetar” të palestinezëve drejt vendeve si Etiopia, Indonezia e Libia, ndërsa Gaza digjet dhe OKB flet për urinë më të rëndë të shekullit…
Shefi i Mossadit, David Barnea, ka vizituar SHBA-në me një qëllim të errët: të sigurojë mbështetje për shpërnguljen e palestinezëve nga Gaza, duke propozuar që shtete si Etiopia, Indonezia dhe Libia të ofrojnë strehim për ta, me “nxitje ekonomike”, natyrisht. Në letër, bëhet fjalë për një zhvendosje “vullnetare”, por në terren ndërtohet një “qytet humanitar” në Rafah që do të shërbejë si kamp grumbullimi.
Kjo lëvizje përkon me një ofensivë të re ushtarake në pjesën qendrore të Gazës, zonë që deri më tani ishte kursyer për shkak të pengjeve izraelite të mbajtura aty. Fillimisht, ushtria urdhëroi evakuimin e banorëve nga Deir al-Balah drejt një zone të tejmbushur, ndërsa komanda izraelite po planifikon izolimin e të gjithë rajonit qendror të Rripit të Gazës.
Këto zhvillime tregojnë një kthesë të re: javën e kaluar, negociatat duket se kishin kapërcyer çështjen e korridorit Morag, që Izraeli e donte për të ndarë Rafahun nëpërmjet tij dhe korridorit Filadelfia, me synimin për të ngritur aty një “kamp përqendrimi humanitar”. Dorëzimi i Netanyahu-t mbi këtë pikë u interpretua si fundi i planit. Por vizita e Barnea-s dhe rikthimi i ofensivës sugjerojnë të kundërtën.
Kush po vdes për një strategji politike
Nëse vërtet Netanyahu po shkonte drejt një marrëveshjeje, nuk kishte arsye të sulmohej zona ku mbahen pengjet, rrezik që ka ndezur një debat të ashpër në Izrael. Ministrja e kolonëve, Orit Strook, ka deklaruar se “pengjet nuk duhet të ndalojnë ofensivën”, deklaratë që ka zemëruar familjarët e tyre.
Ndërkohë, gazetari Gideon Levy (Haaretz) bën një paralelizëm të fortë: David Barnea, nipi i një refugjati që iku nga Gjermania për shkak të zhvendosjes së detyruar, po negocion zhvendosjen e një populli të tërë. Kujton se Adolf Eichmann nisi karrierën naziste si shef i Agjencisë Qendrore për Emigrimin Hebre. “Nipi i një viktime të spastrimit etnik po bëhet vetë zbatues i tij… dhe nuk ndjen asnjë reflektim etik”.
Levy thotë troç: “Kjo nuk është më një luftë pa qëllim. Ka një qëllim – dhe është kriminal. Ushtarët izraelitë nuk po vdesin më kot: po vdesin për të realizuar spastrimin etnik.”
Trump, Epstein dhe paratë për luftë
Kthesa e Netanyahu-t ndoshta lidhet edhe me dobësimin e Trump në SHBA, për shkak të skandalit Epstein. Shumë nga mbështetësit e tij po kërkojnë publikimin e dokumenteve që implikojnë pedofilët e fuqishëm që përfitonin nga rrjeti i Epstein. Kjo e ka vendosur Trump në një pozitë të vështirë, që po shfrytëzohet nga Netanyahu për të forcuar pozitat e tij.
Ndërkohë, Kongresi amerikan ka miratuar së fundmi një ndihmë prej 500 milionë dollarësh për armatim për Izraelin, që i shtohet ndihmës vjetore 3.5 miliardë dollarë dhe një tjetër pako prej 8.5 miliardë dollarësh të miratuar në kohën e Biden. Vetëm gjashtë kongresmenë kundërshtuan paketën, përfshirë Marjorie Taylor Greene.
Në këtë kontekst, gazeta Haaretz ironizon: “Duke shpresuar të përshpejtojë një armëpushim, Trump e mbulon Netanyahu-n me përqafime e mirëkuptim”.
Mizoritë vazhdojnë, propaganda nuk ndalet
Ndërkohë që uria po merr jetë njerëzish në Gaza, vetëm së fundmi u raportuan 85 viktima të reja që tentonin të merrnin ndihma, Jerusalem Post publikoi një video ku palestinezët që vrapojnë drejt një kamioni me ndihma falënderojnë ushtarët që i kishin në shënjestër. Një farsë tragjike.
Për të pastruar imazhin, Izraeli ka shpërndarë fonde për të rekrutuar 550 “influencer” ndërkombëtarë që do të trajnohen për të justifikuar publikisht genocidin në Gaza.
Papa reagon… më në fund
Pas kritika të forta për qëndrimin e butë ndaj sulmit në kishën katolike të Gazës, Papa Leo XIV më në fund ka dënuar publikisht “barbarinë” dhe ka bërë thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare, ndalimin e ndëshkimit kolektiv dhe zhvendosjes së dhunshme të popullatës. Ka kërkuar gjithashtu ruajtjen e vendeve të shenjta, qoftë kishat (3 të shkatërruara), qoftë xhamitë (mbi 1,000 të rrafshuara).
Megjithatë, ai nuk refuzoi të flasë me Netanyahu-n pas sulmeve, një veprim që ka ngjallur shumë pakënaqësi mes besimtarëve.