Protestat aktuale nuk janë spontane, por pasojë e dekadave me liri të mohuara, politike, sociale dhe ekonomike…
Vetëm gjashtë muaj pas përballjes ushtarake me Izraelin, Irani është sërish në rrugë. Protesta që shpërthejnë në qytete të mëdha si Mashhadi, nuk janë më të lidhura me politikën e jashtme – por me një realitet të brendshëm që po degradon çdo ditë: varfëri, inflacion galopant, oligarki të pakontrolluara dhe mungesë totale të shpresës për ndryshim.
Pse ndodh kjo pikërisht tani? Si është e mundur që një vend që sapo ishte bashkuar pas një armiku të jashtëm, sot përballet me një krizë nga brenda? Pyetja nuk ngre dyshime vetëm në perëndim, por edhe mes vetë iranianëve.
Në fakt, Irani i sotëm nuk është më një shtet me qeverisje efektive, por një sistem që e ka humbur kontrollin mbi vetveten. Pas Luftës Iran-Irak, roli i kryeministrit u zhduk dhe presidentët e zgjedhur janë degraduar në thjesht “agjentë furnizimi”, pa ndikim real në vendimmarrje. Institucionet janë boshatisur nga fuqia politike dhe janë zëvendësuar nga struktura paralele.
Lindja e oligarkëve
Gjatë viteve të sanksioneve të OKB-së, Irani nisi të përdorë rrjete jozyrtare për të qarkulluar fitimet e naftës: fonde të menaxhuara shpesh nga fëmijët e zyrtarëve të lartë, që nuk ngurronin të bashkëpunonin edhe me grupe kriminale. Këto rrjete filluan të pasurohen në mënyrë marramendëse dhe, me kalimin e kohës, fituan pushtet të mjaftueshëm për të kontrolluar importet dhe ekonominë kombëtare.
Oligarkët e rinj e shndërruan shtetin në peng të interesave të tyre. Tani janë ata që sjellin valutë në vend nga eksportet e naftës dhe produkteve petrokimike, dhe për këtë marrin 8-10% komision. Vlera e këtij “komisioni transferimi” në dy dekadat e fundit llogaritet në rreth 200 miliardë dollarë vetëm nga nafta.
Ata kontrollojnë gjithashtu importin e barnave, ushqimeve bazë si orizi, gruri dhe vaji, dhe nuk i japin llogari askujt. Madje në disa raste kanë zëvendësuar edhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore për të avancuar agjendën e tyre.
Fotografitë e tyre qarkullojnë në rrjete sociale, me jahte luksoze, ishuj privatë dhe jetë që ngjan më shumë me atë të bosëve të drogës në Brazil. Ndërkohë, populli lufton për mbijetesë.
Kriza e madhe: një qeveri që nuk qeveris dot
Qeveria iraniane është reduktuar në një ndërmjetës që vit pas viti përpiqet të negociojë me oligarkët për të ruajtur pak stabilitet ekonomik. Por oligarkët nuk lëshojnë lehtë dhe pranojnë të sjellin valutë vetëm nëse rial-i zhvlerësohet, duke shkaktuar inflacion të pandalshëm.
Pas konfliktit me Izraelin, regjimi tentoi të largohej nga ky model, duke përdorur si justifikim sigurinë kombëtare dhe duke lëshuar kontrollin e kursit të këmbimit, në përpjekje për të hequr dorë nga varësia prej oligarkëve. Por kjo lëvizje “kirurgjikale” goditi rëndë shtresën e mesme dhe shkaktoi krizë në tregjet e valutës dhe arit.
Në Mashhad, qytet me gjashtë milionë banorë dhe me investime të mëdha të oligarkëve, protestat shpërthyen menjëherë. Popullsia është e lodhur nga një inflacion vjetor mbi 40% dhe nga një qeveri që u ofron vetëm… 7 dollarë në muaj si kompensim.
Në qytetin Abdanan, qytetarët hodhën në ajër orizin e shpërndarë nga shteti – një akt simbolik për të treguar se dinjiteti nuk blihet me ushqim.
Zhdukja e reformistëve, ngritja e zërave monarkistë
Pas lëvizjes “Grua, jetë, liri”, regjimi goditi rëndë aktivistët pro-demokracisë me burgime, dënime të kushtëzuara dhe represion të vazhdueshëm. Këto forca janë tashmë të paralizuara, ose në burg, ose në ekzil. Ata nuk kanë më lidhje me rininë dhe nuk arrijnë të krijojnë ura me brezin e ri, një shkëputje e thelluar gjatë viteve të pandemisë dhe represionit.
Në këtë boshllëk ka hyrë opozita monarkiste, e cila operon nga jashtë vendit, me një mesazh të thjeshtë: rikthimi te rrënjët historike dhe tradita 2500-vjeçare e Iranit. Në një shoqëri ende konservatore dhe të lidhur me të kaluarën, ky mesazh gjen terren të pjellor.
Ndërkohë, regjimi islamik, i përbërë ende nga brezi i revolucionit të 1979-ës, nuk ka lejuar brezat e rinj të përfshihen në qeverisje apo në debatin publik. Elita në pushtet nuk njeh gjuhën, mendësinë dhe aspiratat e brezit Z – një brez që ka jetuar gjithë jetën nën sanksione dhe nuk njeh asnjë epokë tjetër përveç mjerimit.
Një shoqëri në prag shpërthimi
Shoqëria iraniane është kthyer në një kazan të valë që nuk dëgjohet, nuk përfaqësohet dhe nuk respektohet. Protestat aktuale nuk janë spontane, por pasojë e dekadave me liri të mohuara, politike, sociale dhe ekonomike. Sot, ajo përballet me një sfidë historike: A do të arrijë të çlirohet nga zgjedha e një regjimi të dobësuar dhe oligarkëve që kanë zaptuar shtetin?
Kjo valë protestash është më shumë se thjesht revoltë, është një betejë për të ardhmen. Dhe çfarëdo që të ndodhë, një gjë është e sigurt: Do të përballemi me një Iran të ri. / “Corriere Della Sera”
