Lajme

OKB: Gaza është “ferri mbi tokë”, mjekëve tanë po u bie të fikët nga uria

Kreu i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) ka deklaruar këtë të martë, më 22 korrik, se punonjësit e saj, mjekë dhe punonjës humanitarë, po u bie të fikët gjatë detyrës për shkak të urisë dhe rraskapitjes.

Komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, deklaroi në një komunikatë, të shpërndarë nga zëdhënësi i tij gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se: “Kujdestarët, përfshirë kolegët tanë të UNRWA-së në Gaza, kanë tani vetë nevojë për përkujdesje. Mjekët, infermierët, gazetarët, punonjësit humanitarë, përfshirë edhe stafin tonë, janë të uritur. Shumë prej tyre po u bie të fikët nga uria dhe rraskapitja teksa kryejnë detyrat e tyre.”

Lazzarini e përshkroi situatën në Gaza si “ferr mbi tokë”, duke shtuar se askund nuk është e sigurt.

The Guardian shkruan se sipas vlerësimeve të UNRWA-së, rreth 1 mijë njerëz të uritur janë vrarë që nga fundi i majit, ndërsa përpiqeshin të gjenin ndihma ushqimore.

Pas dështimit të bisedimeve për zgjatjen e një armëpushimi gjashtë-javor, Izraeli vendosi një bllokadë të plotë mbi Gazën më 2 mars, duke mos lejuar futjen e asgjëje deri në fund të majit, kur lejuan në mënyrë shumë të kufizuar kamionë me ndihma.

Në një postim në rrjetin të hënën, UNRWA tha se mungesat në territorin palestinez kanë bërë që çmimet e ushqimeve të rriten deri në 40 herë, ndërsa ndihmat e magazinuara jashtë Gazës do të mjaftonin për të ushqyer gjithë popullsinë për më shumë se tre muaj.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png