Lajme

Ofensiva në Gaza, Netanyahu drejt një katastrofe ushtarake!

Kriza brenda ushtrisë izraelite, rezervistët refuzojnë luftën pa fund të Netanyahut…

Ndërsa hapat e parë të një ofensivë gjigante për marrjen e Gazës veriore kanë nisur të marrin formë, qeveria izraelite ka urdhëruar thirrjen e dhjetëra mijëra rezervistëve për t’u përfshirë në operacionin e radhës.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka quajtur qytetin më të madh të veriut të Gazës “njërin prej bastioneve të fundit të Hamasit”, dhe ka urdhëruar ushtrinë të fusë në luftë 60 mijë rezervistë të tjerë, ndërsa 20 mijë të tjerë do të vazhdojnë shërbimin përtej afatit.

Ky plan ka shkaktuar një valë kritikash të ashpra ndërkombëtare dhe brenda vetë Izraelit, për shkak të frikës se kriza humanitare dhe uria që ka përfshirë Gazën do të përkeqësohen, ndërsa jetët e pengjeve që mbahen ende gjallë nga Hamas rrezikohen seriozisht nga një ofensivë e tillë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjeneral brigade Effie Defrin, deklaroi se trupat janë tashmë në periferi të Gazës dhe operacioni ka nisur “me hapa të parë”. Njëkohësisht, ushtria ka nisur të paralajmërojë organizatat mjekësore dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës humanitare që të përgatiten për zhvendosjen masive të popullsisë palestineze. Evakuimi i spitaleve dhe shkatërrimi i infrastrukturës shëndetësore pritet ta çojë krizën humanitare në nivele edhe më katastrofike.

Një zyrtar i ushtrisë pranoi për CNN se Gaza City është pjesërisht e rrethuar dhe disa njësi izraelite tashmë po operojnë në lagjen Zeitoun, në perëndim të qendrës. Përgatitjet për evakuimin kanë nisur me ngritjen e çadrave për refugjatët e rinj, por urdhri për zhvendosje nuk është dhënë ende. Fillimisht, plani për pushtimin e qytetit ishte parashikuar të zgjaste mbi pesë muaj, por Netanyahu ka urdhëruar ta shkurtojë afatin, duke rritur presionin mbi ushtrinë.

Kriza brenda ushtrisë izraelite: lodhje, demotivim dhe refuzim i rezervistëve

Pas gati dy vitesh luftë, ushtria izraelite po përballet me lodhje të thellë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Eyal Zamir, ka paralajmëruar se trupat janë të rraskapitura nga mobilizimet e përsëritura, por shqetësimet e tij janë hedhur poshtë nga Netanyahu dhe koalicioni i tij qeveritar. Një sondazh i Universitetit Hebraik në Jerusalem tregoi se rreth 40% e ushtarëve janë më pak të motivuar për të shërbyer, ndërsa vetëm 13% ndihen më të motivuar.

Kjo krizë e moralit është thelluar edhe më shumë nga debati i brendshëm për përfshirjen e komunitetit ultra-ortodoks, i cili refuzon mobilizimin dhe kërkon përjashtim të plotë nga shërbimi ushtarak. Kjo ka shkaktuar zemërim të madh te ushtarët që tashmë luftojnë në Gaza. Madje, organizata të vogla të rezervistëve kanë nisur thirrjet që ushtarët të refuzojnë urdhrat për t’u kthyer në front, ndërsa vetë ushtria nuk publikon shifra mbi ata që shmangin mobilizimin.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali në pension Dan Halutz, ka deklaruar se shumë rezervistë nuk do t’i përgjigjen thirrjes. Sipas tij, plani i qeverisë “nuk ka logjikë” dhe është i destinuar të thellojë një luftë pa fund.

“Ky është një dënim me vdekje për pengjet”

Një ndër rezervistët më të ekspozuar, Avshalom Zohar Sal, i cili ka shërbyer mbi 300 ditë në Gaza në katër dislokime të ndryshme, refuzon të kthehet në front. “Nuk e besoj se ende flasim për këtë luftë që duhej të kishte mbaruar prej kohësh. Ky vendim është një dënim me vdekje për pengjet”, deklaroi ai.

Kjo është një nga frikat kryesore brenda dhe jashtë Izraelit: që ofensiva në Gaza City do të çojë në vrasjen e pengjeve dhe se objektivi për t’i shpëtuar ata është braktisur nga qeveria në emër të një qëllimi të vetëm, shkatërrimit të Hamasit, gjë që shumë analistë e shohin si të paarritshme.

Kriza humanitare në Gaza: fëmijët e uritur dhe bllokada e ndihmave
Ndërkohë, popullsia civile e Gazës po kalon periudhën më të errët. Mbi 2 milionë palestinezë vuajnë nga uria, sëmundjet dhe zhvendosjet e detyruara. OKB ka raportuar se rastet e kequshqyerjes së fëmijëve janë trefishuar vetëm në gjashtë muajt e fundit. Pothuajse 1 në 3 fëmijë në Gaza City është i kequshqyer, sipas Philippe Lazzarini, kreut të UNRËA-së, i cili e ka quajtur situatën “një urie të fabrikuar, e parandalueshme”.

Qeveria Netanyahu, megjithatë, vazhdon të mohojë se popullsia e Gazës po vuan nga uria masive, duke sfiduar raportet e organizatave ndërkombëtare./Përshtatur nga “CNN”

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif