Trump ndez fitilin në Amerikën Latine, ndërsa bota përgatitet për një tjetër përplasje me pasoja të paparashikueshme…
Nëse dikush mendonte se bota kishte mësuar nga krizat e fundit, nga Siria, Ukraina apo edhe Gaza, është koha ti rikonsiderojë mendimet. Me shpalljen e luftraumit të Venezuelës si “tërësisht të mbyllur” nga Donald Trump, një tjetër vatër tensioni po ndizet në hemisferën perëndimore, dhe rrezikon të kthehet në një përplasje të re ushtarake me pasoja globale.
Justifikimi zyrtar është “lufta kundër trafikimit të drogës”, por gjuhët e përdorura, vendimet e njëanshme dhe vendosja e fuqisë ushtarake në prag të një shteti sovran nuk flasin për ndihmë humanitare, por për presion brutal. SHBA po sillet si një perandori që kërkon të vendosë rregullin e saj në një zonë që historikisht i ka rezistuar kontrollit total. Dhe kjo nuk është hera e parë që një konfrontim ideologjik maskohet si operacion anti-drogë.
Në sfond qëndron edhe e ardhmja politike e vetë Trump: një president në fushatë, që kërkon t’i japë vetes profilin e komandantit të hekurt. Në mungesë të fitoreve të brendshme, konflikti i jashtëm bëhet armë e propagandës. Dhe sërish, janë popuj të tjerë që do të vuajnë pasojat.
Venezuela nuk është një demokraci model, por të ndërhysh me ultimatume ajrore dhe praninë e aeroplanmbajtëseve afër brigjeve të saj është një veprim që ngjan më shumë me agresion të pastër sesa me diplomaci preventive. Ky precedent është i rrezikshëm: sot është Caracas, nesër mund të jetë një tjetër kryeqytet që sfidon hegjemoninë.
Në horizont nuk shfaqet paqja. Por një tjetër luftë. Dhe me të, një tjetër krizë energjetike, një tjetër valë refugjatësh, një tjetër përçarje në arenën ndërkombëtare. Është koha që bota të ngrejë zërin, jo armët. Sepse nëse vazhdojmë të heshtim, zhurma e raketave do të flasë për të gjithë ne./Pamfleti

