Lajme

Një specie e re e çuditshme ekziston mes jetës dhe vdekjes

Përkufizimi i “jetës” mund të duket i thjeshtë, organizmat që rriten, shumohen dhe prodhojnë energji konsiderohen të gjallë. Por disa qenie, si viruset, e vënë këtë në dyshim. Viruset nuk shumohen dhe nuk metabolizohen, prandaj zakonisht përjashtohen nga përkufizimi i jetës. Megjithatë, sapo infektojnë një organizëm, ato bëhen jashtëzakonisht aktive dhe mund të shkaktojnë pasoja globale, si COVID-19.

Studiues nga Kanadaja dhe Japonia kanë zbuluar një organizëm të ri që sfidon këto ndarje. Në një studim të botuar në bioRxiv, ata përshkruajnë një qenie qelizore që ndodhet mes virusit dhe formave të zakonshme të jetës. E quajtur sukunaarchaeum mirabile, sipas një hyjnie japoneze të njohur për shtatin e vogël, kjo qenie ka gjene për të ndërtuar ribozome dhe ARN lajmëtare, gjë që viruset nuk e bëjnë. Por, si virusi, varet nga mbartësi për shumicën e funksioneve biologjike.

Studiuesit theksojnë se sukunaarchaeum nuk ka thuajse asnjë rrugë metabolike të njohur dhe përmban kryesisht gjene për riprodhimin e ADN-së, transkriptimin dhe përkthimin. Kjo varësi ekstreme nga mbartësi sfidon kufijtë tradicionalë mes jetës minimale dhe viruseve.

Nën drejtimin e Ryo Haradas nga Universiteti Dalhousie, ekipi e zbuloi këtë organizëm duke studiuar gjenomin e planktonit detar citharistes regius. Ata gjetën një sekuencë ADN-je që nuk përkonte me asnjë specie të njohur. Analizat treguan se bënte pjesë në domenin archaea, mikrobe të thjeshta, nga të cilat kanë evoluar qelizat eukariote, përfshirë njerëzit.

Ajo që e bën Sukunaarchaeum-in të jashtëzakonshëm është madhësia jashtëzakonisht e vogël e gjenomit të tij: vetëm 238,000 çifte bazash – më pak se çdo Archaea e njohur dhe madje më pak se shumë viruse.

“Zbulimi i sukunaarchaeum-it zgjeron kufijtë e asaj që quajmë jetë qelizore,” shkruajnë autorët. Ai na tregon se ekziston ende një botë mikrobiale e panjohur që mund të ndryshojë kuptimin tonë për evolucionin dhe jetën.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png