Janë publikuar imazhe të raketës së re ndërkontinentale DF-61 të Kinës, e cila forcon arsenalin bërthamor të Pekinit.
Kina ka ndezur alarmin ndërkombëtar pas shfaqjes së imazheve të para të DF-61, një raketë balistike interkontinentale (ICBM) të re, që sipas ekspertëve sinjalizon një hap të madh në forcimin e arsenalit bërthamor të Pekinit.
Pamjet e publikuara online tregojnë automjete me 16 rrota të pajisura me kontejnerë të shënuar me siglën DF-61, të cilat menjëherë ndezën spekulime se ky është pasardhësi i DF-41, aktualisht raketa më e fuqishme e Kinës.
Karakteristikat e DF-61
Sipas CSIS (Center for Strategic and International Studies), DF-61 ka një gjatësi prej rreth 20 metrash, një rreze veprimi mes 12.000 dhe 15.000 kilometrash dhe është në gjendje të mbajë deri në 10 koka bërthamore MIRV (Multiple Independently targetable Reentry Vehicles), të afta për të goditur objektiva të ndryshëm në të njëjtën kohë.
Raketa u shfaq për herë të parë në një paradë ushtarake në vitin 2019, megjithëse mendohet se zhvillimi i saj ka nisur që para vitit 2000. Në vitin 2020, gjenerali amerikan Anthony Cotton paralajmëroi Kongresin se Pekini po zhvillonte një “gjeneratë të re ICBM-sh mobile”, më të fuqishme se ato ekzistuese.
Eksperti i sigurisë Rick Fisher ka deklaruar për Ëashington Times se raketa “është projektuar për të tejkaluar DF-41” dhe se një armë e tillë “do të ndryshonte ekuilibrat strategjikë globalë”.
“Triada bërthamore” e Kinës
DF-61 është pjesë e asaj që mediat shtetërore kineze e kanë quajtur “forca bërthamore strategjike tre-në-një”, që kombinon raketat tokësore, ato të lëshuara nga nëndetëset dhe raketat e lëshuara nga ajri. Në paradat ushtarake të fundit, krahas DF-61 janë shfaqur edhe:
-raketat JL-1 dhe JL-3 të lëshuara nga nëndetëset,
-raketa balistike tokësore DF-31,
-si dhe raketat hipersonike DF-17 dhe YJ-21.
Ky grupim tregon ambicien e Pekinit për të sfiduar hapur SHBA-në, duke siguruar që në çdo rast konflikti, vendi të ketë aftësi për goditje bërthamore nga toka, deti dhe ajri.
Investimet në armë moderne
Kina ka shfaqur gjithashtu raketa anti-anije, përfshirë YJ-19, YJ-17 dhe YJ-20, të testuara kundër modeleve të aeroplanmbajtëseve amerikane, si dhe raketa lundrimi të avancuara Changjian-20A, YJ-18C dhe Changjian-1000, të cilat sipas Pekinit kanë “kapacitete luftarake në çdo kusht atmosferik”.
Ekspertët e mbrojtjes theksojnë se Pekini po investon masivisht në teknologjitë e luftës moderne – që nga dronët dhe robotët nëndetës, deri tek sistemet hipersonike, duke e bërë garën bërthamore me SHBA dhe Rusinë më të tensionuar se kurrë më parë.