Lajme

Një Gjermani e re në horizont? AfD synon qeverinë me ndihmën e Trump, Putin fërkon duart

Gjermania në kryqëzim historik: Ekstremi i djathtë kërkon “biletën amerikane” për pushtet...

Rritja e Alternativës për Gjermaninë (AfD) po shndërrohet në një sfidë të drejtpërdrejtë për unitetin politik të Evropës dhe aleancën transatlantike. Tashmë e shpallur zyrtarisht si forcë ekstremiste nga autoritetet gjermane të sigurisë, AfD nuk ka ndalur rritjen elektorale, duke kaluar në disa sondazhe edhe 26 përqindëshin dhe duke u kthyer në opozitën kryesore në Bundestag.

Sipas një analize të institutit American-German Institute, lidershipi i AfD-së është duke kërkuar lidhje të drejtpërdrejta me qarqet politike të afërta me presidentin amerikan Donald Trump dhe lëvizjen MAGA. Deputetë të kësaj partie kanë vizituar Uashingtonin dhe janë takuar me zyrtarë të administratës Trump dhe republikanë të linjës së fortë, ndërsa pritet që bashkëkryetarja e partisë, Alice Weidel, të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për një takim me zëvendëspresidentin J.D. Vance.

Ky afrim i hapur me qarqet populiste dhe pro-Trump në SHBA vjen në një kohë kur kancelari Friedrich Merz, aleat i moderuar i republikanëve amerikanë dhe mbështetës i NATO-s, përpiqet të rigjallërojë qendrën e djathtë tradicionale gjermane. Por flirtimi i AfD me Trumpin po minon përpjekjet e tij për të ndalur rritjen e së djathtës ekstreme.

Përtej çështjeve të brendshme, ndikimi i kësaj force radikale ka filluar të ndryshojë edhe kursin e politikës së jashtme gjermane. Në lindje të vendit, AfD ka përkrahje masive nga votues që shfaqin hapur simpati për Rusinë dhe që janë kritikë ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën. Shumë prej tyre përqafojnë narrativat e Kremlinit dhe mbështesin hapur heqjen e sanksioneve kundër Moskës.

Kjo prirje përkon me një tjetër lëvizje të qartë politike: afrimi me Kinën. AfD ka deklaruar hapur mbështetjen për projektin “Belt and Road” të Pekinit dhe ka vlerësuar “efikasitetin” e sistemit autoritar kinez. Alice Weidel, që ka jetuar dhe punuar në Kinë, shihet nga qarqet kineze si një figurë e afërt dhe e lexueshme për interesat e tyre gjeopolitike.

Brenda partisë po zhvillohet një përplasje e brendshme midis fraksionit të moderuar, që synon të sjellë AfD-në në pushtet përmes aleancave me CDU/CSU-në tradicionale, dhe krahut të vjetër lindor që mban linjën pro-ruse dhe retorikën anti-NATO. Disa deputetë të kësaj linje kanë zhvilluar vizita të debatueshme në Moskë dhe kanë marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga Kremlini.

Për Brukselin, Berlinin dhe aleatët perëndimorë, afrimi i kësaj force me qarqet pro-Trump dhe të djathtës ekstreme globale përfaqëson një kërcënim real për rendin euroatlantik. Një Gjermani e drejtuar nga një parti që simpatizon Moskën, mbështet Pekinin dhe bashkëpunon me MAGA-n në SHBA, do të përmbyste të gjitha ekuilibrat strategjikë të ndërtuar pas Luftës së Ftohtë.

Në horizontin politik të Evropës po shfaqet një zhvillim alarmant. Një forcë që dikur konsiderohej margjinale, tani po paraqitet si alternativë qeverisëse. Dhe nëse nuk ndalet, kjo prirje mund të sjellë një kthesë të thellë politike për kontinentin e vjetër dhe të prodhojë pasoja që shkojnë përtej kufijve të Gjermanisë. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”

3sgIgLJ.png