Ndërsa Trump shemb normat e ligjit ndërkombëtar në Venezuelë dhe kërcënon fqinjët e saj, Europa zgjedh strucin: të mos shohë, të mos dëgjojë, të mos flasë.
Reagimi fillestar i liderëve europianë ndaj ndërhyrjes ushtarake të paligjshme të Donald Trump në Venezuelë nuk ishte vetëm i dobët,– ishte edhe jetëshkurtër.
Të dielën, vendet anëtare të Bashkimit Europian refuzuan ta dënonin hapur këtë sulm si shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare. Në vend të kësaj, ata shpresuan për një “zgjidhje të negociuar, demokratike, gjithëpërfshirëse dhe paqësore, të udhëhequr nga vetë venezuelianët”.
Por kjo deklaratë iluzive u hodh poshtë nga vetë Presidenti amerikan, i cili po atë ditë u tha gazetarëve: “Ne jemi në krye”.
Trump gjithashtu përsëriti kërcënimet për veprime të tjera ushtarake, nëse regjimi i mbetur pas rrëmbimit të Nicolás Maduro nuk do të zbatojë urdhrat e Uashingtonit. Që në fillim, Trump tregoi se vullneti i popullit venezuelian nuk ishte prioritet, fakt i qartë edhe nga përjashtimi i hershëm i figurës së njohur opozitare, María Corina Machado, e cila ka fituar çmimin Nobel për paqe. Operacioni “Vendosmëri Absolute” nuk ishte për demokraci, por për pushtet të pastër dhe për kontrollin e rezervave të ardhshme të naftës së Venezuelës.
Përballë këtyre ambicieve të zhveshura imperialiste dhe përbuzjes së rregullave ndërkombëtare, liderët europianë si Keir Starmer dhe aleatët e tij nuk mund të mjaftohen më me shmangie të turpshme dhe zhvendosje të vëmendjes. Pasi fillimisht theksoi nevojën për tranzicion demokratik në Venezuelë, Presidenti francez Emmanuel Macron tha të hënën se “as e mbështeti dhe as e aprovoi” mënyrën e rrëzimit të Maduros. Sir Keir, i cili deri më sot është treguar i paqartë dhe i dyzuar në këtë çështje, duhet të bëjë të njëjtën gjë. Kur kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Komunave, Emily Thornberry, paralajmëron se veprimet e SHBA-së në Venezuelë i japin zemër bullizmit global, është e qartë se ajo ka të drejtë.
Nga ana e tyre, qeveritë europiane duhet të përgatiten seriozisht për një botë ku koncepti tradicional i “Perëndimit” nuk funksionon më. Hezitimi për të kritikuar Trump vjen pjesërisht nga frika për të mos prishur raportet me Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht në një moment kyç për mbështetjen ndaj Ukrainës. Është e vërtetë që pa garanci reale të sigurisë nga SHBA për Kievin, ambiciet revanshiste të Putinit do të fuqizoheshin ndjeshëm. Por imperializmi “America First”, i pakontrolluar dhe i papërballuar, po bëhet vetë një kërcënim i ri gjeopolitik.
Së bashku me Kombet e Bashkuara, Europa ka detyrimin të kundërshtojë në mënyrë të vendosur zhbërjen e ligjit ndërkombëtar nga superfuqitë që shkelin mbi “sferat e ndikimit”. Udhëheqësit europianë duhet të përshpejtojnë ndërtimin e një fuqie të mjaftueshme ushtarake dhe strategjike për të mbrojtur interesat e veta. Sepse ndryshe, nuk do kenë më asnjë ndikim.
Shembulli është tronditës: rikthimi i pretendimeve të Trump mbi Grenlandën, një territor autonom danez. Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi në një intervistë radiofonike se ky kërcënim nga SHBA duhet marrë seriozisht. Vetë fakti që një deklaratë e tillë mund të thuhet me sinqeritet dhe arsye, tregon se jemi në një realitet të ri global.
Ndryshimi i regjimit në Caracas ndodhi vetëm disa javë pas publikimit të një strategjie të re agresive të sigurisë kombëtare të SHBA-së, e cila premtonte “rivendosjen e epërsisë amerikane në Hemisferën Perëndimore”. Kolumbia dhe Kuba tashmë janë në listën e radhës dhe në mënyrë tronditëse, edhe një aleat i NATO-s si Danimarka.
Nën drejtimin e Uashingtonit, një rend i ri botëror, i rrezikshëm dhe i paqëndrueshëm, po lind me ritme të shpejta. Brenda këtij rendi, Europa ka urgjencën dhe detyrimin moral të ngrejë zërin për vlerat e saj, ndërsa ndërton kapacitetin për të mbrojtur interesat e veta kombëtare dhe rajonale. /“The Guardian”
