Lajme

Një aksident i shndërruar në makth, si përfundoi në burgjet shqiptare profesori italian

Çështja e Michele D’Angelo ka shkaktuar reagime në nivele të larta politike dhe akademike…

Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor biologjie në Universitetin e L’Aquila-s dhe shkencëtar me famë ndërkombëtare, ndodhet prej gati dy muajsh në burgun e Fierit, pas një aksidenti rrugor më 8 gusht në rrugën Levan-Fier.

Autoritetet shqiptare e akuzojnë për “shkelje të rregullave të trafikut” dhe “braktisje të një automjeti”. Detajet e incidentit mbeten të paqarta, duke krijuar shqetësim në komunitetin akademik dhe institucionet italiane, raporton ANSA.

Incidenti rrugor përfshiu makinën “Lancia Ypsilon” të profesorit dhe një Mercedes të drejtuar nga shtetasi shqiptar me inicialet E.S, i cili dyshohet se humbi kontrollin për shkak të shpejtësisë. Sipas njerëzve pranë D’Angelo-s, profesori po udhëtonte me 40 km/orë dhe nuk mundi të shmangte përplasjen me automjetin tjetër. Autoritetet lokale e akuzojnë për largimin nga vendngjarja, një veprim që avokatët e tij e interpretojnë si reagim instiktiv dhe jo si tentativë arratisjeje.

Më 19 shtator, D’Alfonso i drejtoi një pyetje Presidentit Begaj, duke kërkuar bashkëpunim maksimal dypalësh dhe aktivizimin e instrumenteve të bashkëpunimit gjyqësor midis Italisë dhe Shqipërisë, për të miratuar masa alternative ndaj paraburgimit.

Profesor D’Angelo mban pozicione të rëndësishme në Universitetin e L’Aquila-s dhe në institucione ndërkombëtare, përfshirë Institutin Sbarro për Kërkimin e Kancerit dhe Universitetin Temple në Filadelfia. Ai koordinon projekte të financuara ndërkombëtarisht, dhe mungesa e tij mund të pengojë përfundimin e projekteve dhe të rrezikojë financimet e universitetit.

Rektori i Universitetit të L’Aquila-s, Fabio Graziosi, dhe drejtuesja e departamentit, Anna Maria Cimini, shprehën shqetësim për gjendjen psikologjike të profesorit dhe mobilizimin për të kërkuar lirimin e tij. “Shpresojmë që të gjitha nismat e ndërmarra do të çojnë në kthimin e tij të menjëhershëm në shtëpi,” deklaroi Cimini.

Çështja e Michele D’Angelo ka shkaktuar reagime në nivele të larta politike dhe akademike, duke nxitur diskutime mbi masat paraprake në raste aksidentesh dhe rëndësinë e mbrojtjes së bashkëpunimit ndërkombëtar në shkencë. Komuniteti akademik italian dhe institucionet shqiptare po presin zhvillime të mëtejshme dhe sqarime zyrtare për trajtimin e profesorit.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif