Lajme

Niko Peleshi është kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë

Niko Peleshi, deputeti i Partisë Socialiste, është zyrtarisht kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë.

Në fjalën e tij të parë si kryeparlamentar, Peleshi e quajti momentin “një nder” dhe “përgjegjësi të madhe”, duke theksuar se do të punojë me përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve.

Ndërsa shprehu mirënjohje për punën e paraardhëses Elisa Spiropali, ai premtoi krijimin e një standardi të ri për respektimin e Kushtetutës, Rregullores dhe Kodit të Etikës në Kuvend.

“Ne deputetët e kësaj legjislature jemi bashkëudhëtarë në segmentin final dhe të shumëpritur të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Është privilegj i rrallë dhe përgjegjësi e pamatë për këtë parlament që të ketë në dorë një detyrë kaq përcaktuese për të ardhmen e vendit”, u shpreh ai.

Kryetari i Kuvendit theksoi se strategjia “Shqipëria në BE 2030” është objektivi madhor, duke synuar mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda vitit 2030.

Peleshi nënvizoi nevojën për konsensus politik dhe shoqëror në këtë proces, duke e cilësuar “një angazhim që kërkon punë të pandërprerë dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”.

Kryeparlamentari përmendi forcimin e marrëdhënieve me Parlamentin Evropian, Kongresin Amerikan dhe parlamentet e vendeve aleate, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën dhe shqiptarët në rajon.

Në fokus të Kuvendit, sipas tij, do të jetë edhe mbështetja e plotë për sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe kontrolli i ekzekutivit.

“Një volum i madh pune, mbase më i madhi në 30 vitet e fundit, na pret përpara për ta bërë realitet ambicien e Shqipërisë evropiane. Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë duhet të funksionojë me të gjitha standardet e një parlamenti evropian”, tha Peleshi.

Në fjalën e tij, ai i bëri thirrje deputetëve të rinj dhe të vjetër të punojnë së bashku, duke lënë mënjanë ndasitë politike: “Përpara sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi shumicë apo opozitë, jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, duke lundruar drejt të njëjtit destinacion”.

Gjatë seancës së parë të Legjistlaturës së XI, shumica parlamentare e majtë ka votëbesuar kandidaturën e tij, duke konstituuar kështu përbërjen e Kuvendit dhe duke i hapur rrugë formimit të Qeverisë dhe institucioneve.

Sipas votimit, kandidatura e Peleshit u miratua me 84 vota nga 87 pjesëmarrës në votim, ku tre kanë qenë kundër. Teksa, opozita, e ka bojkotuar procesin.

Çfarë ndodhi gjatë sesionit të paradites?

Partia Demokratike duket se e ka të qartë aksionin e saj parlamentar në këtë Legjislaturë të XI, duke ruajtur linjën e një bllokimi të mbarëvajtjes së punës parlamentare dhe duke e shfrytëzuar foltoren e Parlamentit si një skenë bojkoti.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka nisur menjëherë akuzat drejt mazhorancës, ku edhe pse i është kërkuar të mos mbajë fjalë me natyrë politike dhe jashtë temës së seancës së parë, ka vazhduar të bllokojë foltoren.

Deputetët e opozitës i janë bashkuar po ashtu në foltore në bllokimin e saj.

Teksa, drejtuesi i seancës, Vasil Llajo, i ka kërkuar Partisë Socialiste të japë emrat e saj për Komisionin e përkohshëm të Verifikimit të Mandateve dhe më tej ka mbyllur seancën, për të shpallur seancën e radhës në orën 17:00.

Një akt tjetër i Parlamentit të ri ishte edhe krijimi i Sekretariatit të përkohshëm, ku Marjana Koçeku, Zegjine Caushi dhe Klodiana Çapja, si deputetet më të reja do të legjislaturës, do të jenë pjesë e tij deri në formimin e byrosë. Çapja, deputetja e zgjedhur demokrate, e ka bojkotuar megjithatë Sekretariatin.

Hapjen e seancës e kreu Vasil Llajo, deputeti socialist, si i treti më i moshuar në Legjislaturën e re, pas refuzimit nga Sali Berisha dhe Tritan Shehu të PD-së.

“Është një moment solemn. Jeta politike nuk ndërtohet vetëm mbi energjinë e rinisë apo urtësinë e përvojës, por mbi bashkëpunimin e të dyjave”, u shpreh Llajo.

Ai theksoi se çdo ligj dhe reformë duhet të ketë në qendër qytetarin, ndërsa rikujtoi se përbërja e re e Kuvendit ka një risi të dukshme: më shumë se gjysma e deputetëve janë ulur për herë të parë në sallën plenare.

“Qytetarët nuk duan fjalë të kota apo sherre të pafundme, por rezultate konkrete”, shtoi Llajo në fjalën e tij.

Ai theksoi se duhet “të ndërtojmë një kulturë bashkëpunimi për çështje të mëdha kombëtare, duhet të kemi turp nëse nuk e bëjmë këtë”.

“Të ndahemi në debate, e bashkohemi në qëllime. Shqipëria sot është më pranë se sot anëtarësimit në BE. Ky është mision historik i kësaj legjislature. Ky nuk është mision i një partie, por kombëtare, për të cilin do të na gjykojnë brezat që vijnë. Le të dëshmojmë se dimë të bëjmë politikë të pjekur, ku nuk mungon debate por kur fjala e fundit është interesi i fundit”.

Në një dalje për media jashtë Parlamenti ndërkaq, Berisha ka vijuar akuzat.

Berisha theksoi se Parlamenti është rrëzuar ditën e djeshme, në momentin që kryeministri Edi Rama “shpalli komisionet”.

Ai shtoi se Rama ka “shkelmuar” rregulloren.

Kjo, pasi sipas Berishës, asnjë komision nuk ndryshohet pa ndryshuar rregullorja.

“Morali i tij është droga, vetëm droga”.

Ish-kryeministri deklaroi më herët po ashtu se veprimi i sotëm i Partisë Demokratike për të marrë pjesë është “një hap në një përpjekje më të fuqishme që opozita ka bërë në ekzistencën e saj për çlirimin e shqiptarëve”.

“Ky parlament është jolegjitim, i karteleve të drogës, parlamenti i dhunimit të fjalës së lirë, i farsës elektorale”, tha Berisha, duke nënvizuar se çdo veprim i opozitës ka karakter legjitim.

Ai shtoi se kjo betejë do të vazhdojë me të gjitha forcat, pasi sipas tij, “fitorja vjen vetëm me betejë, me luftë dhe përpjekje, jo me tërheqje”.

Berisha e konsideroi rezistencën parlamentare si një akt të domosdoshëm përballë, siç e cilësoi ai, deformimit të demokracisë dhe kufizimit të fjalës së lirë në vend.

Seanca e radhës do të përfshijë verifikimin e mandateve parlamentare, betimin e deputetëve, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve, si dhe miratimin e strukturës së përkohshme që do të përgatisë punën për komisionet parlamentare.

Me 83 mandate dhe mbështetjen e mundshme të aleatëve tradicionalë si Partia Socialdemokrate (3 deputetë), miratimi i qeverisë pritet të jetë një formalitet.

Në krahun tjetër, opozita e re parlamentare paraqitet e fragmentuar. Megjithëse kryesia e Partisë Demokratike ka refuzuar të njohë rezultatin e zgjedhjeve, PD-ja do të marrë pjesë në seancën plenare, duke sinjalizuar një kthim në normalitet institucional, por jo politik.

Partia e Lirisë pritet të krijojë një grup parlamentar me tre deputetë ‘të dhuruar’ nga Partia Demokratike, ndërsa aleatët e vegjël do të formojnë një grup tjetër po ashtu me tre ligjvënës të dhuruar nga selia blu. Kështu, opozita do të ketë të paktën tri grupe parlamentare njësoj si në legjislaturën e kaluar.

Përveç PD-së, opozita do të përfshijë edhe forca të tjera si “Mundësia” me dy deputetë (Agron Shehaj dhe Erald Kapri), dhe Lëvizja Bashkë me një mandat (Redi Muçi), të cilat pritet të qëndrojnë jashtë grupeve të mëdha parlamentare.

Ndërkohë, mandati i vetëm i Nismës “Shqipëria Bëhet” pritet të mos ketë peshë politike, për shkak të largimit të figurave themeluese si Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani pas zgjedhjeve.

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif