Lajme

Nga urrejtja për krerët e Hamasit te dilema e pengjeve: Çfarë “fitoi” Izraeli në Doha?

Sulmi ajror i Izraelit në Doha nuk është kundër një vendi armiqësor, por kundër një vendi me të cilin ka marrëdhënie, për tmerrin e rajonit, duke shkaktuar një krizë të madhe diplomatike…

Sulmi ajror i Izraelit mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, shënon një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si Tel Avivi përballet me armiqtë e tij. Dikur, Mossad dhe ushtria përdornin metoda më të fshehta, helmime, atentate të padukshme, eliminime me mohueshmëri të besueshme. Por pas 7 tetorit 2023, sipas izraelitëve, gjithçka ka ndryshuar.

Prandaj kur erdhi radha për të goditur liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran më 2024, nuk u përdorën më teknika të sofistikuara në prapaskenë: ai u vra hapur me një sulm ajror. Dhe tani, historia është përsëritur, jo mbi një qytet armik, por mbi një vend që Izraeli ka marrëdhënie diplomatike: Katarin. Kjo ka shkaktuar tronditje në gjithë rajonin dhe një krizë të thellë diplomatike.

Ishte sulmi vërtet i justifikuar?

Në pamje të parë, do të mendohej se shënjestrat ishin figura të rrezikshme, kërcënim i menjëhershëm për Izraelin. Por nuk është plotësisht kështu.

Sigurisht, shumë nga krerët e Hamasit të synuar nga Tel Avivi kanë qenë përfshirë në organizimin e sulmeve që kanë vrarë qindra civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. Ata kanë brohoritur për masakrat e 7 tetorit. Por, sipas informacioneve publike, ata nuk kanë qenë mendjet kryesore të atij sulmi.

Nga zyra politike e Hamasit në Doha te objektivi i sotëm

Në vitin 2011, SHBA bindi Katarin të lejonte hapjen e një zyre politike të Hamasit në Doha. Izraeli e miratoi këtë hap. Ideja ishte e thjeshtë: të kishte një adresë konkrete për negociata dhe një kanal për miliona dollarë që do të shkonin drejt Gazës.

Një zyrtar izraelit i tha në atë kohë mediave: “Ne besojmë se kushte më të mira në Gaza do të ulin dëshirën e Hamasit dhe të popullatës për një luftë të re. Në një farë mënyre, kjo ndihmon parandalimin.”

Kritikët e Netanyahu-t e akuzuan se po forconte me qëllim një krah të politikës palestineze përmes një politike të ftohtë “përça e sundo”. Sidoqoftë, Tel Avivi e pranoi zyrën politike në Doha, e cila u mbush me veteranë të lëvizjes – shumë prej të cilëve duket se ishin në listën e shënjestrave të sulmit të fundit.

Në një intervistë me Khaled Meshaal në Doha më 2023, ai dukej i vendosur por jo më figura dominante ideologjike që kishte qenë në Damask më 2017. Ndërkohë, “njerëzit e fortë të Gazës” – Yahya Sinwar, Abu Obeida dhe Muhammad Deif – kishin marrë komandën reale.

Netanyahu dhe Meshaal: një përballje e gjatë

Sulmi i fundit shihet edhe si pjesë e një llogarie të hapur të Netanyahu-t me Khaled Meshaal. Në vitin 1997, Mossad tentoi ta vriste në Aman, Jordani, duke i futur helm në vesh. Operacioni dështoi, dhe Mbreti Hussein detyroi Bill Clinton të urdhëronte Izraelin t’i jepte antidotin që i shpëtoi jetën.

Raportet e para sugjerojnë se Meshaal mund të ketë shpëtuar sërish nga atentati i fundit. Por shumë nga të vrarët ishin pikërisht ata persona me të cilët Izraeli komunikonte indirekt për të negociuar lirimin e pengjeve në Gaza.

Një goditje që e komplikon çështjen e pengjeve

Deri tani, nuk duket e qartë se si ky sulm do t’i ndihmojë familjet e pengjeve. Përkundrazi, duket se i heq nga tavolina njerëzit me të cilët, përmes kanalit të Dohas, po bëheshin negociatat.

Prandaj, për shumë analistë, ky sulm e bën edhe më të largët mundësinë e një marrëveshjeje për pengjet, ndërsa vendos rajonin në një spirale të re të pasigurisë. /Përshtatur nga Sky News

3sgIgLJ.png
KddZqn1.gif