Lajme

Nga atentati i fabrikuar tek shtyrja e zgjedhjeve: Si po përpiqet Putin të shpëtojë aleatin e tij Orbán

Moska po ndërthur propagandën me operacione hibride, duke përdorur edhe inskenimin e një atentati si instrument për ta paraqitur Viktor Orbán-in si viktimë dhe mbrojtës të kombit. Kjo strategji synon të zhvendosë debatin nga problemet ekonomike drejt frikës dhe sigurisë, duke i dhënë kryeministrit një pretekst për të rifituar zgjedhjet.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Hungari, Moska po shfaqet gjithnjë e më e shqetësuar se kryeministri Viktor Orbán mund të humbasë pushtetin. Ndërsa partia Tisza e opozitës dhe udhëheqësi i saj Péter Magyar po fitojnë terren, udhëheqja ruse po lëviz gurët për të mbështetur aleatin e saj.

Sipas një investigimi të publikuar nga Washington Post, i bazuar në një dokument të brendshëm të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), agjencia ka propozuar madje edhe organizimin e një atentati ndaj Orbán për të “ndryshuar rrënjësisht paradigmën e fushatës zgjedhore”.

Synimi është zhvendosja e debatit nga çështjet socio-ekonomike drejt një terreni emocional, të dominuar nga siguria shtetërore dhe stabiliteti politik. Edhe pse një sulm i tillë nuk po ndodh, fakti që Kremlini e ka konsideruar një skenar të tillë nënvizon ankthin si brenda qeverisë hungareze, ashtu edhe brenda udhëheqjes ruse.

Në sfondin e një fitoreje të mundshme të Tisza-s, Moska po nxit një operacion që në pamje të parë duket se synon përshkallëzimin e tensioneve hungarezo-ukrainase. Por në realitet është një fushatë informative e orkestruar me kujdes, e projektuar për të favorizuar politikisht Orbán-in.

Për ta zbatuar këtë, agjentët rusë po ndërtojnë një sistem shumështresor që e fsheh përfshirjen e Moskës, ndërkohë që integrohet në politikën e brendshme të Hungarisë dhe përputhet me strategjinë e komunikimit të kryeministrit.

Fanni Kaminski, e cila zëvendësoi Balázs Orbán pak para zgjedhjeve, po merr një rol qendror në riformësimin e mesazheve të kryeministrit. Emërimi i saj sinjalizon një ripërtëritje të retorikës, ndërsa Orbán përpiqet të përshtatet me sfidat e reja dhe të ruajë kontrollin mbi hapësirën e informacionit.

Në fillim të marsit, Financial Times raportoi se Kremlini ka miratuar një fushatë në rrjetet sociale të zhvilluar nga kompania konsulente Social Design Agency. Qëllimi i saj është të rrisë perspektivat e Orbán-it, duke diskredituar rivalin e tij kryesor, Péter Magyar.

Raporti zbulon se operacioni përfshin zyrtarë të lartë rusë dhe oficerë të inteligjencës, nën mbikëqyrjen e Sergey Kiriyenko, zëvendëskryetar i administratës presidenciale ruse dhe ekspert në menaxhimin e proceseve zgjedhore në hapësirën post-sovjetike.

Andrey Yarin, kreu i departamentit të politikës së brendshme, po mbledh ekipet teknike, ndërsa Vadim Titov ka koordinuar skemën për të bllokuar çdo dialog racional midis Kievit dhe Budapestit. Ndërkohë oficerët e inteligjencës Vadim Yurchenko dhe Denis Davydov, po e ndihmojnë drejtpërdrejt Orbán-in.

Në mesin e shumë raportimeve për përfshirjen ruse, shfaqja e rreth 1.200 llogarive të rreme – të krijuara në vitin 2024 me foto profili të gjeneruara nga inteligjenca artificiale – duket larg të qenit rastësi. Detyra e tyre është të përforcojnë artificialisht mbështetjen për partinë e Orbán-it.

Moska po nxis postimet pro-qeveritare, në mënyrë që algoritmet e Facebook-ut t’i promovojnë ato si përmbajtje në tendencë. Siç raporton Telex, qendra e këtij rrjeti është faqja “Hajrá, Magyarország”, e lidhur me një fondacion të udhëhequr nga historiania Mária Schmidt, ndërsa linjat e tjera kontrollohen nga deputetë dhe kandidatë të partisë në pushtet Fidesz.

Kjo përpjekje e përbashkët ruso-hungareze, po zhvillohet në mënyrë metodike dhe me faza. Në thelb të saj është strategjia e paraqitjes së Ukrainës si një shtet armiqësor ndaj Hungarisë, me qëllim rritjen e vlerësimeve të Orbán-it.

Nga fillimi i marsit, mediat pro-ruse nisën të ndërtojnë një narrativë që e portretizon Ukrainën si kërcënim, duke nxjerrë nga konteksti deklarata të presidentit ukrainas dhe duke i paraqitur ato si rrezik të drejtpërdrejtë për Orbán-in.

Pas sekuestrimit të dy automjeteve të blinduara të bankës shtetërore ukrainase Oschadbank më 5 mars, operacioni bankar i zakonshëm u interpretua si një financim i opozitës hungareze. Më pas, më 10-11 mars, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e etiketoi presidentin Volodymyr Zelenskyy si “terrorist”, ndërsa analistët pro-Kremlin filluan të diskutojnë hapur mundësinë e një atentati ndaj Orbán-it.

Në datat 12-13 mars, fushata hyri në fazën më kritike, të “përgjigjes hungareze”. Filluan të qarkullojnë raporte për kërcënime ndaj familjes së Orbán-it, ndërsa pala hungareze reagoi shumë shpejt. Balázs Orbán i hodhi poshtë pretendimet për ndërhyrje ruse si një “teatër politik”, duke e akuzuar Kievin për presion dhe frikësim.

Vetë Viktor Orbán akuzoi Ukrainën se po kërcënon fëmijët dhe nipërit e tij. Analisti hungarez Zoltán Koskovich deklaroi se “Kievi, bashkë me Brukselin, po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e Hungarisë për të larguar Orbán-in nga pushteti dhe nuk do të ndalet pa ndërhyrje të dhunshme apo një ‘revolucion me ngjyra’”.

Më 18-19 mars, qeveria hungareze ndaloi hyrjen në vend të tre qytetarëve ukrainas, duke i akuzuar ata për kërcënime kundër kryeministrit dhe familjes së tij. Pas kësaj, fushata hyri në fazën përfundimtare, duke e çimentuar narrativën e Ukrainës si një “qendër e terrorizmit ndërkombëtar”.

I gjithë operacioni synon të hedhë themelet për një shtyrje ose anulim të mundshëm të zgjedhjeve të 12 prillit. Sondazhet tregojnë se Tisza kryeson ndaj Fidesz me 8-13 për qind, ndërsa pakënaqësia e votuesve është e lartë, përfshirë edhe në zonat rurale që tradicionalisht mbështesin Fidesz.

Vështirësitë ekonomike, lodhja nga autoritarizmi dhe skandalet e korrupsionit po krijojnë një mjedis sfidues për Orbán-in. Në këtë kontekst, e vetmja mënyrë për të shmangur humbjen duket se është zëvendësimi i debatit racional me mobilizim emocional.

Kërcënimi i dëmtimit fizik ndaj udhëheqësit dhe prania e një armiku të jashtëm janë mjete populiste klasike. Nëse perceptimi i një “kërcënimi të jashtëm” përforcohet mjaftueshëm, Orbán mund të ketë një pretekst për të shtyrë ose anuluar zgjedhjet.

Gjendjet e jashtëzakonshme, kërcënimet për sigurinë kombëtare dhe “dora e Kievit”, janë tashmë pjesë e arsenalit retorik të qeverisë së tij. Orbán e kupton se nëse zgjedhjet mbahen sipas planit, sondazhet aktuale i ofrojnë pak shanse për sukses.

Prandaj, ai po përgatitet të luajë me frikën për të ruajtur pushtetin. Skenari më i favorshëm për të është anulimi ose mbajtja e zgjedhjeve në rrethana krejtësisht të ndryshme. Moska është më se e gatshme ta mbështesë, pasi Hungaria nën Orbán përfaqëson asetet më të vlefshme të Kremlinit brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s në këtë teatër të luftës hibride.

Për Moskën, ruajtja e një aleati të besueshëm në zemër të Evropës, është një prioritet strategjik. Orbán është një vegël e dobishme për të minuar unitetin evropian, për të penguar politikat e përbashkëta ndaj Ukrainës dhe dobësuar kohezionin e NATO-s.

Në këtë kuadër, fushata e orkestruar nga Rusia nuk është thjesht një ndërhyrje e zakonshme informative, por një operacion i plotë destabilizues, i ndërtuar për të krijuar një realitet paralel politik.

Narrativa e “kërcënimit ukrainas” shërben si një instrument për të justifikuar masa të jashtëzakonshme, duke i dhënë Orbán-it hapësirë për të shmangur një humbje të sigurtë në zgjedhje. Kjo strategji e frikësimit, e kombinuar me manipulimin e informacionit dhe përdorimin e rrjeteve të rreme sociale, është një shembull tipik i metodave të luftës hibride që Kremlini ka përdorur në vende të tjera të rajonit.

Nëse ky operacion arrin të prodhojë efektin e dëshiruar, Orbán mund të paraqitet si “mbrojtësi i kombit” përballë një kërcënimi të jashtëm, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme ekonomike dhe politike.

Për Moskën, kjo do të ishte një fitore e dyfishtë, pasi jo vetëm që do të ruante një aleat të fuqishëm në Budapest, por edhe do të tregonte se ndërhyrjet e saj hibride, mund të ndryshojnë rrjedhën e zgjedhjeve në një vend anëtar të BE-së dhe NATO-s.

Në fund, skenari i ndërtuar nga Kremlini është i qartë: të përdorë frikën, manipulimin dhe propagandën për të siguruar që Viktor Orbán të mbetet në pushtet, duke e shndërruar Hungarinë në një pikë të fortë të ndikimit rus në Evropë.

Nëse zgjedhjet e 12 prillit shtyhen ose anulohen, kjo do të përfaqësonte jo vetëm një krizë të brendshme hungareze, por edhe një precedent të rrezikshëm për demokracinë evropiane./ Përshtati “Pamfleti” nga “Lansing Institute”.

3sgIgLJ.png