Momentet e fundit para se Trump të merrte vendimin për të sulmuar Iranin...
Presidenti amerikan Donald Trump vendosi të sulmojë Iranin në përfundim të një dite të shënuar nga takime dhe konsultime në Shtëpinë e Bardhë, më 27 shkurt. Sipas raportimeve mediatike italiane, ai priti në takim dy të dërguarit, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, të cilët e informuan se pala iraniane kishte refuzuar kushtet e vendosura nga Uashingtoni.
Shtetet e Bashkuara kërkuan dorëzimin e mbi 400 kilogramëve uranium të pasuruar dhe çmontimin e tre impianteve kryesore bërthamore: Isfahan, Fordoë dhe Natanz. Sipas të njëjtave burime, Teherani nuk i pranoi këto kërkesa.
Një moment kyç në proces u zhvillua në zyrën e zëvendëspresidentit J.D. Vance. Ai priti ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr Al Busaidi, i cili ka ndërmjetësuar negociatat dhe konsiderohet nga Teherani si një kanal i besueshëm komunikimi. Busaidi mbërriti nga Gjeneva, ku më 26 shkurt u zhvilluan raundet e fundit të bisedimeve mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë.
Ministri i Omanit argumentoi se ende ekzistonte hapësirë për marrëveshje. Sipas tij, palët kishin rënë dakord të fokusoheshin fillimisht te dosja bërthamore, duke lënë për më vonë çështjen e raketave balistike iraniane. Ai theksoi gjithashtu praninë në tryezë të Rafael Grossi, drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), si autoriteti që mund të verifikojë në mënyrë të pavarur natyrën e programit bërthamor të Iranit.
Busaidi propozoi një kalendar të ri takimesh për të fituar të paktën një javë kohë: një mbledhje në nivel teknik më 2 mars në Vjenë, në selinë e IAEA-s, dhe një tjetër raund bisedimesh në ditët në vijim.
Sipas raportimeve, reagimi i Vance ishte i prerë: ose Irani pranon kushtet amerikane, ose pasojnë veprime ushtarake. Pas takimit me ministrin e Omanit, zëvendëspresidenti kontaktoi presidentin. Në vijim, Trump iu drejtua opinionit publik amerikan dhe njoftoi vendimin për sulm.
