Në kuadër të konkursit të shpallur më 24 prill 2025 nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për mbështetjen financiare të projekteve kërkimore-shkencore në universitetet shtetërore, Universiteti i Tetovës aplikoi me 12 projekte nga fusha të ndryshme akademike.
Nga këto aplikime, për financim u përzgjodh vetëm një: projekti “Përfitimi dhe karakterizimi i filmave të hollë për qeliza fotovoltaike më efikase”, i cili synon të avancojë teknologjitë e energjisë së ripërtëritshme. Vlera e financimit është 8 milion denarë, ndërsa kohëzgjatja e projektit do të jetë 24 muaj.
Ceremonia e nënshkrimit të kontratës u zhvillua më 7 gusht 2025 në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ku morën pjesë Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe koordinatori i projektit, Prof. Dr. Bashkim Ziberi.
Projekti do të nisë menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe pritet të shënojë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve kërkimore dhe inovacionit shkencor në Universitetin e Tetovës.