Me propozim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, në seancën e sotme qeveritare është miratuar informata për fillimin e aktiviteteve për ngritjen e Qendrës së Resurseve për mbështetje të zhvillimit të komunave.
Nga Qeveria informojnë se për këtë qëllim, Qeveria e Konfederatës Zvicerane, e përfaqësuar nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme, përmes Ambasadës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Ambasada e Zvicrës) dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale (MVL), do të nënshkruajnë aneksin 4 të Marrëveshjes për zbatimin e Projektit “Zhvillim rajonal i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës – faza 2”.
“Qendra e Resurseve për mbështetje të komunave do të konceptohet si mekanizëm institucional i cili do të mundësojë mbështetje afatgjate, të qëndrueshme dhe profesionale për komunat në Maqedoni, përmes ofrimit të shërbimeve të specializuara në fushën e menaxhimit administrativ, planifikimit të zhvillimit strategjik lokal/rajonal, përgatitjes së dokumentacionit teknik dhe planifikimit kapital, planifikimit dhe menaxhimit financiar, ekspertizës teknike, forcimit të bashkëpunimit ndërkomunal, përgatitjes së aplikacioneve për projekte dhe shfrytëzimit të fondeve ndërkombëtare”, informuan nga Qeveria.
Kujtojmë se pushteti lokal në RMV ka shumë sfida, shumë prej të cilave i theksoi edhe Raportii e Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian, ku mes tjerash theksohet se nuk është bërë përparim në reformën e vetëqeverisjes lokale, ndërsa reformat nevojitet urgjentisht. Sfidë në vete mbetet edhe decentralizimi.