Trump mban në paqartësi strategjinë ndaj Iranit, duke kombinuar sinjale për negociata me përgatitje ushtarake në terren. Por mbetet e paqartë nëse kjo është një taktikë për të fituar kohë dhe rritur presionin, apo një bllof diplomatik për të shmangur përshkallëzimin. Ndërkohë, dërgimi i trupave dhe ultimatumet ndaj Teheranit rrisin rrezikun që “mjegulla e diplomacisë” të kthehet në konflikt të hapur…
Zakonisht flitet për “mjegullën e luftës”: pasigurinë dhe mungesën e informacionit të qartë në fushën e betejës, që e bëjnë të vështirë kuptimin e synimeve dhe pozicioneve reale të armikut. Por editoriali i djeshëm i Wall Street Journal kishte një titull tjetër: “Mjegulla e diplomacisë”.
Të hënën e kaluar, presidenti Trump hodhi në këtë mjegull Lindjen e Mesme, tregjet, amerikanët dhe aleatët, duke njoftuar se ishin duke u zhvilluar bisedime “produktive” dhe duke shtyrë me pesë ditë ultimatumin për rihapjen e ngushticës së Hormuzit.
Edhe republikanët dolën nga një briefing me dyer të mbyllura në Dhomën e Përfaqësuesve mbi Iranin të mbuluar nga paqartësia. Mike Rogers, kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura, kërkoi më shumë informacion për objektivat e trupave të dërguara në rajon: “Duam të dimë më shumë për atë që po ndodh, për opsionet dhe pse po merren në konsideratë. Nuk po marrim përgjigje të mjaftueshme”. Deputetja Nancy Mace deklaroi në X: “Makineria e luftës në Uashington është në lëvizje, po përpiqen të na tërheqin në Iran për ta kthyer në një Irak tjetër”.
Blof apo rrugëdalje
Paqartësia lidhet edhe me faktin se është e vështirë të kuptohet nëse optimizmi i Trump për negociatat është një bllof për të fituar kohë, në pritje të mbërritjes së mijëra trupave, apo një përpjekje reale për të gjetur një rrugëdalje nga lufta.
Shtëpia e Bardhë ka propozuar zëvendëspresidentin J.D. Vance si negociator të mundshëm në Pakistan, si “polici i mirë”, ndërsa sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth paraqitet si “polici i keq”, që “nuk do marrëveshje, por fitore”. “Ne negociojmë me bomba”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, iranianët, të goditur më parë gjatë periudhave të negociatave, e shohin këtë si një kurth.
Administrata amerikane këmbëngul se dërgimi i 1.000 trupave ajrore dhe dy njësive me rreth 2.200 marinsa ka si qëllim rritjen e presionit në negociata: një dorë e shtrirë, tjetra gati për goditje. Njësia e parë e marinsave pritet të mbërrijë të premten, ditë që përkon edhe me skadimin e ultimatumit të ri të Trump.
Shtëpia e Bardhë kërkon të testojë nëse Irani është i gatshëm për lëshime që nuk i pranonte para luftës. Por nëse regjimi nuk është i gatshëm të pranojë kërkesat amerikane, zëdhënësja Karoline Leavitt paralajmëroi se Trump “nuk bën blof dhe është gati të lëshojë ferrin”: “Nëse Irani nuk pranon realitetin dhe nuk kupton se është mposhtur ushtarakisht, presidenti do të sigurojë që të goditet më fort se kurrë më parë”.
Megjithatë, Leavitt shtoi më tej paqartësinë duke deklaruar se plani me 15 pika i publikuar në media “nuk është plotësisht i saktë”, pa sqaruar se cilat pjesë janë të vërteta dhe cilat jo. Mungesa e detajeve, përfshirë edhe se kush negocion nga pala iraniane, mund të jetë e qëllimshme, për të krijuar presion brenda regjimit.
Dy lexime të situatës
Ekzistojnë dy mënyra për të interpretuar situatën. E para është se hapja ndaj negociatave është thjesht një taktikë për të stabilizuar tregjet dhe për të krijuar perceptimin e suksesit përmes forcës. Duke njoftuar për bisedime, edhe kur Teherani i mohon, Trump e zhvendos përgjegjësinë te pala tjetër.
Në rast përshkallëzimi, ai mund të argumentojë se “e provoi diplomacinë”. Ndërkohë, kjo i jep kohë ushtrisë për të pozicionuar forcat në rast se vendos të ndërhyjë për rihapjen e ngushticës ose për operacione në ishuj strategjikë.
Leximi i dytë është se Trump po kërkon realisht një rrugëdalje nga konflikti. Ai ka deklaruar disa herë se lufta “do të përfundojë shpejt” dhe madje sugjeron se një ndryshim regjimi në Iran mund të jetë tashmë në zhvillim, një mënyrë tjetër për të shpallur sukses.
Sipas analizës së situatës, Trump ndjek nga afër reagimin e tregjeve dhe shpesh bën deklarata për t’i ndikuar ato. Ai ka treguar gjithashtu prirje për përshkallëzim, të ndjekur nga tërheqje të papritura.
Është e mundur që të dy këto impulse të jenë në lojë njëkohësisht. Deri në momentin që ai të marrë një vendim të qartë, situata pritet të mbetet në “mjegullën e diplomacisë”. /Përshtatur nga ‘Corriere Della Sera’.

