Lajme

Në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike

Para dy ditëve, në Komunën e Tetovës u mbajt debat publik për ndryshime në Planin Detal Urbanistik për Bllokun Urban 42 dhe të tjera, pas të cilit nisma qytetare “Tetova Do Park” tregoi se me këto ndryshime planifikohen fundi i qendrës së vjetër tregtare dhe ndërtesa shumë katëshe në qendër të qytetit. Komuna e Tetovës hesht në pyetjen se a nuk u betonua mjaftueshëm qyteti, shkruan Portalb.mk.

13 gusht 2025, në ambientet e Komunës së Tetovës, u mbajt prezantimi publik i Draft-Planit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Planit Detal Urbanistik për Bllokun Urban 15, Bllokun Urban 23, Bllokun Urban 41 dhe Bllokun Urban 42 – Komuna e Tetovës (2023–2028).

Ndërsa njoftimi për këtë debat publik u bë vetëm dy ditë para mbajtjes.

Menjëherë ndaj kësaj reaguan nga nisma Tetova Do Park, ata publikuan ndryshimet e planifikuara për Bllokun Urban 42, ku draft i ri i planit urbanistik shënon fundin e qendrës së vjetër tregtare dhe parashikon dy kulla të mëdha në vend të saj.

“Plani parashikon një zonë të re ndërtimi me lartësi 8 m, të destinuar për një qendër tregtare, në vendin e të gjithë kompleksit “Lovec”, i cili do të zërë të gjitha barakat ekzistuese. Në mes, kjo ndërtesë ngrihet në pesë kate, dhe lartësi prej 19.2 m, dhe në skajet e saj, ngrihen dy ndërtesa të mëdha dhjetëkatëshe me një lartësi të planifikuar deri në 34.2 metra. Le të theksojmë se zgjidhja e trafikut në projekt parashikon një hyrje dhe dalje të vetme në brendësi të bllokut vetëm përmes qasjes aktuale – domethënë përpara Postës së Vjetër”, thanë nga Tetova Do Park. 

Për më tepër, ata treguan se përgjatë rrugëve “Strasho Pinxhur” dhe “Todor Cipovski-Merxhan”, projekti parashikon ndërtesa tetëkatëshe në vend të të gjitha ndërtesave aktuale të vjetra me tre dhe katër. 

“Pyesim nëse ekziston një shpjegim i shëndoshë se pse dhe kujt i duhet një rritje e tillë e sipërfaqes së ndërtuar bruto në këtë vend dhe në atë mjedis të sheshit të qytetit, bulevardeve, ndërtesave të tjera afariste dhe banesore dhe turmave tashmë të mëdha, dhe veçanërisht për të parashikuar ato dy kulla të reja gjigante brenda bllokut?”, thanë nga Tetova Do Park. 

Plani Detal Urbanistik për Bllokun Urban 42 në Tetovë. Foto: Tetova do Park
Plani Detal Urbanistik për Bllokun Urban 42 në Tetovë. Foto: Tetova do Park

Nga kjo nismë kritikuan edhe se informacioni rreth prezantimit u publikua vetëm dy ditë para mbajtjes së tij dhe se një jë sjellje e tillë po bëhet praktikë, ndoshta që disa nga qytetarët e interesuar të mos kenë kohë të shtyjnë punën dhe detyrimet e tjera dhe të shkojnë në prezantim. 

Portalb.mk kërkoi sqarime nga Komuna e Tetovës për këto ndryshime si dhe parashtruam pyetjen se a nuk u betonizua mjaftueshëm qyteti, por përgjigje nuk morëm. 

Në Tetovë periudhën e fundit në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si shitja e ish Monopollit, legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara. Ndërkaq, në disa pjesë të qytetit ka filluar ndërtimi i disa ndërtesave tjera shumë katëshe.

Në ndërkohë, Tetova nuk ka ende park të qytetit. 

Tetova që nga viti 2003 nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik, dhe kjo është ndër arsyet e kaosit urbanistik në qytet. 

Plani Gjeneral Urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Përndryshe, në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe hapësirat e gjelbra. 

Te pjesa e urbanizmit, konkretisht në faqe 22 thuhet se do të revidohet dhe zgjerohet Plani Urbanistik për të lejuar ndërtimin e komplekseve banesore, apo edhe qendrave biznesore, sipas standardeve ku së paku 1/3 e hapsirës të jetë me pjesë të gjelbëruar dhe me zona rekreacioni.

Ndërkaq në faqe 26 premtohet: Plan afatmesëm për zgjerimin e hapsirave të gjelbërta.

Por, tashmë afër fundit të mandatit, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren. 

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png