Musk sulmon ligjin e ri për buxhetin: Do zhdukë miliona vende pune
Rikthehen përplasjet Musk-Trump.
Teksa Senati amerikan vijon betejën për miratimin e ligjit të buxhetit të propozuar nga Donald Trump, të cilin ai e ka quajtur me krenari “ligji i madh dhe i bukur”, Elon Musk ka goditur sërish presidentin dhe politikat e tij ekonomike.
Në një postim të fortë në rrjetin X, të cilin vetë Musk e zotëron, themeluesi i Tesla dhe SpaceX e ka quajtur versionin e fundit të ligjit si “absolutisht të çmendur dhe shkatërrues”. Ai paralajmëron se ky buxhet “do të zhdukë miliona vende pune në SHBA dhe do t’i shkaktojë një dëm të madh strategjik vendit tonë!”.
Sipas Musk, ligji i propozuar favorizon me subvencione “industrinë e së kaluarës” ndërsa penalizon rëndë “industritë e së ardhmes”, duke goditur veçanërisht sektorë si energjia e pastër dhe teknologjia e avancuar, shtylla këto të zhvillimit afatgjatë të Amerikës.
Ndërsa kritikat e Musk bënë bujë në rrjet, Trump ndodhej në një fushë golfi, duke luajtur me senatorët republikanë Rand Paul dhe Lindsey Graham. Ky i fundit postoi një foto me Trump në rrjetin X, ku të dy shfaqen duke buzëqeshur: “Ditë e bukur për ligjin e madh dhe të bukur!”.
Pas largimit nga DOGE, nis një përplasje e fortë ems tyre. Musk kritikoi ligjin e ri për taksat dhe shpenzimet të presidentit Donald Trump, duke e quajtur atë “të neveritshëm” dhe duke thënë se “nuk e duron dot” këtë legjislacion.
Më pas pat reagime të Trump dhe kërcënime nga të dyja palët. Duket sikur flaka u shua, por është ndezur sërish.