I dyshuari për vrasjen e oficerit të ARM-së, Musa Xhavit vazhdon të mbetet i pakapshëm për policinë. Informacionet e siguruara në rrugë operative thonë se ai është jashtë vendit, për këtë arsye edhe është lëshuar flet-arrest ndërkombëtarë, shkruan Alsat.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski gati një javë pas vrasjes Agim Muharremit thotë se akoma po punojmë për të lokalizuar kryerësin e vrasjes, duke pretenduar se policia ka zbardhur motivin edhe pse zyrtarisht nuk ka njoftuar arsyet pse ka ardhur deri tek vrasja.
“Ministria e Punëve të Brendshme e ka zbardhur rastin në aspektin e kryerësit dhe masave të ndërmarra. Po veprojmë në drejtim të identifikimit të lokacionit ku gjendet kryerësi dhe nuk dua të hyj më tepër në detaje për atë që ka të bëjë me hetimin”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Brendshëm.
Musa Xhavit vazhdon të mbetet i paprekshëm, ndërkohë policia dhe organet e sigurisë nuk kanë arritur ta lokalizojnë atë për një vit, që kur ai kreu vrasjen e fundit në korrik të vitit kaluar dhe iu ngrit kallëzim penal për vrasjen e 34 vjeçarit Abdyl Ibraimi. Si u bë e mundur që Musa Xhavit një vit pas vrasjes së fundit, të kthehet në shtet pa rënë në sy të policisë, të kryen vrasje tjetër, të arratiset përsëri dhe të kërcënon person tjetër për ta vrarë, kjo mbetet e paqartë për aq kohë sa policia dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk kanë një përgjigje konkrete.
Musa Xhavit kishte vuajtur burg për armëmbajtje pa leje. Pas daljes nga burgu, sipas të informacioneve që ka plasuar policia ai u kyç në rrjetin e grupeve kriminale që viteve të fundit ishin cak i hakmarrjeve dhe vrasjeve spektakulare në Shkup dhe jo vetëm. Më 1 korrik të vitit kaluar dyshohet të jetë njëri nga personat që gjuajti me kallashnikov dhe vrau Abdyl Ibrahimin në Batincë të Shkupit. Vrasja kishte për motiv hakmarrjen./ Alsat.mk