Lajme

Mungesa e shqipes, Qeveria fajëson “vonesat teknike”

Ersan PAJAZITI

Shkup – 10 qershori është data e fundit kur Qeveria ka publikuar procesverbalet edhe në gjuhën shqipe. Që prej asaj date janë mbajtur edhe 14 seanca, procesverbalet e të cilave në ueb faqen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut janë nxjerr vetëm në gjuhën maqedonase. Madje, për gjashtë seancat e fundit, Qeveria nuk ka publikuar fare proces-verbalet, një veprim që bie ndesh me parimin e transparencës dhe informimit të qytetarëve. I pyetur rreth kësaj problematike, zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai mohoi se seancat nuk publikohen edhe në gjuhën shqipe, por siç tha ai mund të ndodhin vonesa për çështje teknike.

“Procesverbalet për herë të parë publikohen në të dy gjuhët. Është e vërtetë se ka vonesa, sepse procesverbalet nganjëherë publikohen në grumbull, pra për disa seanca përnjëherë, të njëjtat përkthehen, për herë të parë madje në gjuhën shqipe. Në qeverinë paraprake nuk i ke pasur fare, tani i ke në gjuhën shqipe për çdo seancë”, theksoi Fetai. Ai nuk u pajtua me faktin se janë dhjetëra procesverbale të publikuara vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse një kërkim i thjeshtë në ueb-faqen e Qeverisë mjafton për të dëshmuar këtë. “Dokumentet mund të vonohen, por ato vendosen në dy gjuhë”, ishte i prerë Fetai. Kujtojmë se shqetësimin në lidhje me këtë praktikë, gazeta KOHA e ka ngritur vazhdimisht. Gjatë nëntorit të vitit paraprak, KOHA zyrtarisht pati kërkuar përgjigje nga shërbimet e Qeverisë, nga ku nuk kishin dhënë shpjegim se përse në procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë nuk figuron gjuha shqipe.

“Ju lutemi kuptoni, Qeveria është e përkushtuar ndaj hapjes dhe transparencës, jo vetëm drejtpërsëdrejti ndaj mediave, por ndaj publikut të gjerë, njerëzve dhe votuesve. Gjithashtu, ju njoftojmë se shërbimi i mbledhjeve përgatit procesverbalin e çdo seance të Qeverisë, pas nënshkrimit të të gjitha konkluzioneve dhe akteve të seancës nga kryesuesi i seancës. Pasi mbyllen të gjitha lëndët (pikat) e seancës, me nënshkrimin dhe zbatimin e tyre, përgatitet procesverbali. Procesverbali përgatitet në atë mënyrë që të kontrollohet se përputhet me evidencën elektronike të e-Qeverisjes, të korrigjohet nomoteknikisht dhe redaktues, pas së cilës propozohet për miratim në njërën nga seancat vijuese. Procesverbali jepet për adoptim pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet për miratimin e tyre dhe më pas publikohet”, patën theksuar për gazetën KOHA nga shërbimi për komunikim i Qeverisë, por pa u përgjigjur se pse mungon gjuha shqipe, ndërsa publikohen vetëm në maqedonisht.

LIGJI PËR GJUHËT PARASHEH SANKSIONE, TË CILAT NUK ZBATOHEN KURRË

Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë. Mirëpo sanksionet të tilla asnjëherë nuk shqiptohen. Më saktësisht në nenin 22 të këtij ligji thuhet: “(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji. (2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni”.

VAZHDOJNË PËRPLASJET POLITIKE, VLEN FAJËSON BDI-në PËR QOSETON

Ndërkohë edhe pse ende nuk janë shpallur zgjedhjet lokale partitë politike, çdo ditë e më shumë intensifikojnë prezencën në terren, ndërsa nuk kursejnë edhe akuzat drejt oponentëve politik. Kështu, zyrtarë të lartë të koalicionit VLEN mbajtën konferencë për shtyp para përmendores së Andon Llazov Qoseto, duke akuzuar BDI-në si përgjegjëse për vendosjen e kësaj përmendore në lagjen Autokomand të Shkupit. Përfaqësues të VLEN-it deklaruan se Danella Arsovska nuk vepron e vetme, por është produkt dhe vazhdimësi e një sistemi të vjetër të cilin BDI e ka ushqyer dhe vazhdon ta mbështesë.

“BDI është pjesë e pushtetit në Qytetin e Shkupit në të gjitha nivelet dhe nuk mund të lajë duart nga përgjegjësia. Vendosja e përmendores së Qosetos nuk është gabim i rastësishëm është provokim i qëllimshëm dhe vazhdimësi e një ideologjie që ndan e poshtëron”, theksoi Muhamed Elmazi, përfaqësues i koalicionit VLEN.

VLEN kujtoi se përmendorja ishte vendosur për herë të parë gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit, kur ministra të tij ishin pikërisht Blerim Bexheti dhe Bujar Osmani. Ata kërkuan që BDI të kërkojë dorëheqjen morale të gjithë drejtorëve të saj në Qytetin e Shkupit, të ndërpresë mbështetjen ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, si dhe të marrë përgjegjësinë për bashkëpjesëmarrje në këtë akt që fyen bashkëjetesën ndëretnike.

BDI: TË ANULOHET VENDIMI, ME TË CILIN ULET NUMRI I KËSHILLTARËVE NË KOMUNAT SHQIPTARE

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur edhe një herë indinjatën e thellë për heshtjen e qëllimshme dhe të pajustifikueshme të Qeverisë ndaj vendimit antikushtetues dhe antiligjor që diskriminon komunat shqiptare dhe përjashton mërgatën nga llogaritja zyrtare e popullsisë.

“Kanë kaluar ditë me radhë që kur u denoncua publikisht zvogëlimi i numrit të këshilltarëve në më shumë se 20 komuna ku praktikisht shlyhet mërgata, dhe Qeveria nuk ka dhënë asnjë sqarim, asnjë ndjesë, asnjë sinjal për përmirësim. Heshtja e tyre është dëshmi e qartë se diskriminimi institucional po ndodh me vetëdije dhe me bekimin e Qeverisë. Sot, opinioni publik e di se ky vendim është ndërmarrë në shtator të vitit 2024, ku me një veprim të njëanshëm, është përjashtuar padrejtësisht diaspora, pra është goditur kryesisht mërgata shqiptare, duke ulur artificialisht përqindjen e shqiptarëve nga 29.5% në 24.3%”, thuhet në reagimin e BDI-së, sipas të cilës, kjo shifër e sajuar nuk përfaqëson realitetin.

Ajo, siç thuhet në reagim, është mjet për ta deformuar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale, për të na bërë më pak të dukshëm, më pak të rëndësishëm dhe më pak të përfaqësuar.

“Gjykata Kushtetuese tashmë ka konstatuar se ky vendim bie ndesh me Kushtetutën. Megjithatë, Qeveria vazhdon të heshtë, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në qeveri, të cilët gjoja janë aty për të përfaqësuar interesat tona, heshtin me zell, me qetësi dhe me nënshtrim. Le ta themi troç: këta të preferuarit e Kryeministrit janë aty jo për të mbrojtur shqiptarët, por për të normalizuar poshtërimin, për të amortizuar padrejtësinë, për të hequr zërin e shumicës shqiptare nga debati publik, dhe për të lehtësuar zbatimin e politikave diskriminuese të radhës. Por kjo nuk kalon”.

BDI paralajmëron se nuk do të heshtë dhe nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për të ndëshkuar komunat shqiptare dhe për të fshirë mërgatën nga hartat institucionale të shtetit. “Për këtë çështje tashmë kemi ndërmarrë veprime konkrete. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i vendosur që, përmes të gjitha instrumenteve ligjore, institucionale dhe demokratike, ta ndalë këtë praktikë diskriminuese dhe të sigurojë përfaqësim të drejtë për çdo qytetar, pa përjashtim, kudo që jeton”. (koha.mk)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png