Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është protagoniste e kopertinës së fundit të revistës Time.
Asaj i është kushtuar një intervistë e zgjeruar dhe një portret politik me titullin: “Ku po e çon Evropën Giorgia Meloni?”
Në intervistë, Meloni thekson vizionin e saj për Evropën dhe politikën kombëtare:
“Duhet të mbrojmë atë që jemi – kulturën, identitetin dhe qytetërimin tonë. Nacionalizmi im nuk është agresion, por një mbrojtje ndaj globalizmit që nuk funksionoi.”
Time ndalet edhe te takimi i Melonit me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se kryeministrja italiane mbështeti me forcë Volodymyr Zelensky-n dhe kauzën ukrainase.
Trump, sipas revistës, e dëgjoi pa e kundërshtuar hapur, ndërsa Meloni komentoi: “Jemi të dy luftëtarë.”
Po ashtu artikulli thekson se në Itali, Meloni përballet me kritika të forta për politikat e saj, ndërsa Time e përshkruan si një udhëheqëse të një nacionalizmi të ri – lokalist, populist, por besnik ndaj Perëndimit, Evropës dhe marrëdhënieve transatlantike.
Meloni vetë u përgjigjet akuzave:
“Më kanë akuzuar për gjithçka: nga lufta në Ukrainë, deri tek vdekjet në Mesdhe. Por kjo ndodh sepse nuk kanë argumente. Nuk jam raciste, as homofobe, nuk jam asgjë nga ato që thonë.”
Në një moment më personal, Arianna Meloni, motra e kryeministres dhe koordinatore e partisë “Vëllezërit e Italisë”, rrëfen për herë të parë për braktisjen e familjes nga babai i tyre, duke thënë për Time: “Thjesht nuk i interesonim.”
Në fund të intervistës, Meloni i drejton gazetarit një pyetje sfiduese:
“Je një njeri i ndershëm. Ajo që bën qeveria ime – a të kujton sadopak fashizmin?”