Shkarkime, emërime e dorëheqje. Aleanca për Shqiptarët, sikur e ndarë në dysh – ASH e Ziadin Selës dhe ASH e Arben Taravari, tashmë duket se po formohet dhe ASH e tretë, me udhëheqës joformal zëvendkryeministrin Arben Fetai. Ky i fundit është shkarkuar nga detyra kryetar i Kuvendit të ASH-së, pasi siç tha Arben Taravari në Kuvendin e partisë në Kumanovë, punon kundër vet Aleancës. Në vend të Fetai, kryetar i Kuvendit të partiës është emëruar Nazim Taipi, ndërsa janë shkarkuar mbi 29 anëtarë të Kryesisë, që të gjithë që kanë mbështetur Fetain dhe kundërshtuan vendimin e partisë për ta braktisur Qeverinë.
Përveç Fetait, anëtarët e Kuvendit të partisë kanë shkarkuar edhe deputeten Mimoza Musa, e cila do të veprojë si deputete e VLEN-it.
“Këta 20-25 veta nuk e kanë gajlen e kauzës apo Aleancës, por e kanë gajlen e kolltukëve!”, tha Taravari në Kuvendin e partisë në Kumanovë, ndërsa kërkoi nga anëtarësia dhe elektorati i ASH-së të mos brengosen, pasi siç u shpreh, “janë zhumaxhinj të vegjë që nuk kanë edhe ndonjë ndikim të madh”.
Është përgjigjur zëvendëskryeministri Arben Fetai – jo me deklaratë, por me veprime në terren. Ka arritur ta bëjë për vete edhe Forumin Rinor të Aleancës për Shqiptarët. Në një postim në rrjetet sociale, Fetai tha se Forumi Rinor brenda ASH-së vazhdon të mbetet VLEN.
“Gjenerata e re e ASH-së nuk bëhen pjesë e pazareve aktuale politike. Të udhëhequr me vizion dhe vendosmëri nga Yllka Nuredini, strukturat rinore të FRASH-it sot qëndrojnë fuqishëm në anën e besimit që na e dhanë 107 mijë qytetarë, në anën e ndryshimit të vërtetë. Sepse ndryshimi nuk është vetëm slogan: ai kërkon punë, përkushtim dhe këmbëngulje të palëkundur”, shkruan Fetai, ndërsa ka qenë i shoqëruar me kryetaren e FRASH-it, Yllka Nuredini dhe disa të rinj, pjesë e strukturave të Forumit Rinor.
Taravarin e kanë braktisur kryesisht zyrtarë që vijnë nga Kumanova e Shkupit. Me Fetain është renditur edhe Bashkim Bakiu, dejtori i Institucionit Publik nga fusha e shëndetësisë për nevojat e klinikave universitare.
“Duke u konsultuar me miq, edhe i vetëdijshëm për zhvillimet politike, dua të qartësoj se mbetemi në rrugën e nisur për ndryshim që para zgjedhjeve të vitit 2024. Ashtu si e filluam ashtu edhe do të vazhdojmë, për ndryshimin që ka filluar, e që patjetër ka ende për të punuar. Pa ngarkesa personale dhe hatërmbetje rrugëtimi politik kërkon qëndrueshmeri, vizion dhe angazhim. Ne jemi të bindur në rrugetimin tonë, me VLEN për ndryshim”, shkruan Bakiu i shoqëruar në foto me zëvendëskryeministrin Fetai.
Në “ndihmë” të Fetait për të kthyer nga VLEN-i sa më shumë anëtarë ka dalë edhe ish-ministri për Administratë dhe Informatikë, Azir Aliu. Por, dhe ky duket se do të “shpërblehet” për punën që po bën – është kandidati më i përfolur për ministër të Shëndetësisë. Edhe pse nuk e ka asnjë pikë që e lidhë me Shëndetësinë, arsyetimi i atyre që e përfolin për ministër të Shëndetësisë është se, ministri nuk duhet të jetë doemos i profesionit mjek, por të jetë një menaxher i mirë. Arsyetimi i dytë – vjen nga Gostivari dhe mund ta dëmtojë Taravarin në bastionin e tij. (koha.mk)