dhe pse sezoni turistik është në kulmin e tij, gastronomët në Strugë dhe Ohër ende kërkojnë punëtorë. Mungesa është e madhe, kështu që punëtorë kërkojnë në çdo mënyrë të mundshme, madje edhe përmes rrjeteve sociale dhe shpalljeve nëpër qytete. Por, pronarët hasin në vështirësi sepse kuadri më i mirë dhe më i kualifikuar është larguar për në Kroaci, për paga shumë më të larta se këtu.
“Fuqia punëtore është shumë e vështirë për t’u gjetur dhe ata që gjejmë, duhet t’i trajnojmë, sepse janë të patrajnuar, shpesh punojnë dobët kurse duhet të jetë sipas rregulloreve, sepse ka standarde për të punuar në hotel dhe nuk mund të punosh shkel e shko. Pra, problemi numër një tani në Ohër për turizmin është fuqia punëtore, qofshin ato shërbyese hoteli apo kamerierë”, tha Danica Baceva- pronare e objektit të gastronomisë.
Në ndërkohë, pronarët kanë kërkesa të shumta për punësim në Agjencinë e Punësimit në Ohër dhe Strugë.
“Ka interes. Çdo ditë kemi kërkesa për kamerierë apo banakierë. Ka kërkesë, punëdhënësit po ia dalin vetë me studentë dhe nxënës të shkollave të mesme. Ata vijnë nga qytete të tjera. Ka shumë kërkesa nga punëdhënës të ndryshëm nga hotele të ndryshme. Ka nga të gjitha vendet, ata ndoshta mund të kompensojnë një pjesë të caktuar, por prapë se prapë fuqia punëtore vendase është çelësi për këto vende pune, por për fat të keq nuk ka asnjë”, shtoi Mirjana Vllaoska – drejtoreshë e Agjencisë së Punësimit – Ohër.
Vitin e kaluar, disa nga pronarët tentuan ta mbushnin këtë boshllëk me punëtorë nga Filipinet dhe Bangladeshi, por për shumicën e tyre, Maqedonia e Veriut ishte vetëm ndalesë në rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore.
“Këtë vit ata janë vetëm nga vendi ynë. Përvoja është pozitive, por unë gjithmonë preferoj që ata të jenë njerëzit tanë së pari, e nëse nuk kemi mundësi tjetër, kërkojmë opsion tjetër. Unë preferoj që ata të jenë vendas, njerëz nga Maqedonia, për të shijuar përfitimet e këtij vendi dhe për të qenë të kënaqur këtu. Dhe nëse nuk kemi mundësi, atëherë duhet të kërkojmë, ashtu siç kërkohen të tjerët kudo në botë”, tha Musa Rashid- pronar hoteli.
Më shumë se 25,000 persona ishin të punësuar në sektorin e turizmit në vend. Por për vite me radhë puna e tyre nuk vlerësohej siç duhet, nuk paguheshin për orët shtesë kurse pagat ishin shumë më të ulëta se ato në Evropë. Këtë verë, rreth 15,000 qytetarë të vendit punojnë në bregdetin kroat. Kjo është arsyeja pse këtë verë, mysafirët në rivierën e Ohrit dhe Strugës shërbehen kryesisht nga pensionistë, nxënës të shkollave të mesme dhe më të rinj, madje edhe nga vetë pronarët, të cilët janë të detyruar të punojnë si kuzhinierë./Alsat.mk