Lajme

 “Mangësi serioze për shqiptarët”, Katedra e Historisë në UT reagon ndaj programit të ri mësimor

Katedra e Historisë pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës ka reaguar ndaj programit të ri mësimor për lëndën e historisë në arsimin fillor dhe të mesëm, shkruan TV21. Duke e konsideruar të domosdoshëm përditësimin e programeve, ata shprehin shqetësime serioze lidhur me përmbajtjen dhe qasjen ndaj historisë së popullit shqiptar.

Katedra thekson se në grupin punues për hartimin e programeve nuk janë përfshirë historianë shqiptarë, çka sipas tyre ka ndikuar në përmbajtje joshkencore, siç është ndarja e dardanëve nga trungu ilir apo përdorimi i termit “Shqipëri” për periudha kur historikisht ekzistonte nocioni “Arbëri”.

Sipas reagimit, historisë së shqiptarëve i është dhënë hapësirë shumë më e vogël krahasuar me programet e mëparshme, çka përbën përfaqësim të padrejtë dhe pasqyrim jo të plotë të realitetit multietnik të vendit. Katedra apelon që Ministria e Arsimit të ndërhyjë përpara miratimit të teksteve dhe të sigurojë programe gjithëpërfshirëse, të bazuara në standarde shkencore dhe ndjeshmëri kulturore.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png