Është lokalizuar zjarri që rrezikonte shtëpitë në fshatin Cerovë të Zhelinës. Zjarrfikësit gjatë gjithë natës luftuan me flakët për të parandaluar rrezikimin e pronave. Në këto zonë zjarret janë aktive prej ditësh, ndërsa autoritetet dyshojnë se janë të qëllimshme.
“Zjarri që digjet që prej afro një jave këtu në malin e thatë, është ofruar tejmase tek shtëpitë e fshatit Cerovë. Nga komuna e Zhelinës por edhe nga zjarrfikësit deklarojnë se gjatë natës së mbrëmshme kanë luftuar me zjarrin deri në orët e mëngjesit, ndërkohë që kanë arritur lokalizimin e të njëjtit dhe kanë krijuar zbrazëtira që të mos mund të ofrohet tek shtëpitë”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Situata është qetësuar, ndërsa autoritetet dyshojnë se zjarri është i qëllimshëm.
“Ky zjarr ka ardhur nga fshati Grupçin, sepse patën në tre pika të njëjta në të njëjtën kohë zjarre, që na bën të dyshojmë se zjarret janë të qëllimshme. Dje ka qenë dita më e ngarkuar, pra patëm 20 zjarre, edhe atë shumë të vrullshme por i futëm nën kontroll dhe nuk kemi asnjë lloj problemi”, tha Avni Ameti, kryeshef i NJTKZ Tetovë.
Në shuarjen e zjarrit, përveç zjarrfikësve ndihmuan edhe banorët. Ndërkohë kreu i komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu thotë se situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik.
“Pesë ditë avionët nga katër herë në ditë kanë hedh ujë dhe sot situata në krahasim me dje është nën kontroll. Sepse dje mori përmasa që nuk do donim ti shihte askush, dhe normalisht qytetarët ishin të shqetësuar dhe andaj ishim afër gjatë gjithë kohës për të mbrojtur pronat dhe banorët”, deklaroi Blerim Sejdiu. Kryetar i komunës së Zhelinës.
Ndërkohë në terren vazhdon të qëndrojë në gatishmëri një ekip e zjarrfikësve, Pyjeve dhe Qendrës për Mbrojtje dhe Shpëtim në rast të riaktivizimit të serishëm të flakëve. Për momentin në Pollog, kjo është pika e vetme që digjet. /Alsat.mk