Mohammed bin Zayed në Serbi, ka krijuar një bosht strategjik përmes shitjes së armëve dhe investimeve të mëdha.
Një paradë ushtarake nën sloganin “Forca e Unitetit” u mbajt të shtunën në Beograd të Serbisë, ku 10.000 trupa parakaluan në paradë, së bashku me mbi 2.500 armë dhe pajisje ushtarake. Në paradën e organizuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kishte disa personalitet të ftuar ku spikatën, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, anëtari i familjes mbretërore të Bahreinit, Nasser bin Hamad, aktori Steven Seagal, si dhe ish-presidenti i entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.
Gjithashtu ministrat e Mbrojtjes të, Hungarisë, Qipros, Azerbajxhanit, Francës dhe Kinsë ishin prezent në paradën ushtarake serbe.
or personazhi që ra më shumë në sy është “kameleoni”, Mohammed bin Zayed, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe i cili po shtrinë influencën e tij në Ballkan dhe njëkohësisht po luan me dy porta, në rastin më të keq, në disfavor për shqiptarët. Pse ky konkluzion? Mohammed bin Zayed në Serbi, ka krijuar një bosht strategjik përmes shitjes së armëve dhe investimeve të mëdha. Kontratat ushtarake, si furnizimi me drone Shadow dhe municione përmes kompanive si SDPR, fuqizojnë ushtrinë serbe, duke e bërë atë një forcë dominuese në rajon, sidomos kundër Kosovës.

Nga krahu tjetër në Shqipëri, Mohammed bin Zayed luan një lojë “të butë”, duke u fokusuar në imazhin diplomatik dhe investime jo-ushtarake. Gjatë vizitave në Tiranë, në shkurt dhe korrik 2025, ai u nderua me Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike nga Kryeministri Edi Rama për “kontributin në paqe globale dhe marrëdhënie strategjike”. Asnjë marrëveshje ushtarake, vetëm investime në energjinë e gjelbër, në projektin “Smart City” me Presight AI, si dhe donacione humanitare.

Ky balancim i dyfishtë i lejon Mohammed bin Zayed që të fitojë në të dyja anët: në Serbi siguron një treg armësh dhe ndikim gjeopolitik, në Shqipëri ndërton një imazh pozitiv dhe akses në BE. Megjithatë, kjo strategji mund të thellojë pabarazinë rajonale, duke fuqizuar ushtarakisht Serbinë në dëm të fqinjëve, duke krijuar disbalanca që mund të rezultojnë fatale në të ardhmen.
-Por cila është politika e Sheikut 64 vjeçarë Mohammed bin Zayed?
Në vitet e fundit, forcat speciale të Emirateve të Bashkuara Arabe janë vendosur në Libi, duke ndihmuar Feldmarshal Khalifa Haftar dhe duke shkelur embargon e armëve të OKB-së; dhe në Gadishullin verior të Sinait në Egjipt, duke mbështetur forcat e Presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi kundër islamistëve.
Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe vendosi një embargo ndaj Katarit, një vendim i ndarë me vendet e tjera, përfshirë Arabinë Saudite; dhe ka mbështetur ngritjen e disa udhëheqësve autoritarë, përfshirë al-Sisin e Egjiptit dhe Mohammed bin Salmanin e Arabisë Saudite.
Në disa raste, si në Jemen dhe Libi, vendimet e Mohammed bin Zayed kanë kontribuar në krijimin e krizave të rënda humanitare, kaosit dhe paqëndrueshmërisë. Sipas Wittes, një ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit, dhënia e kaq shumë armëve Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe kaq të sofistikuara, pati pasoja përtej kontrollit të qeverisë amerikane.
“Ne kemi krijuar një Frankenstein të vogël”, tha Wittes.

Ndër të tjera, Mohammed bin Zayed bëri një marrëveshje me Erik Prince, themeluesin e firmës private të sigurisë të njohur si Blackwater, e cila është përfshirë në disa skandale vitet e fundit për përdorim të pajustifikuar dhe të paligjshëm të forcës. Marrëveshja shërbeu për të krijuar një lloj milicie mercenarësh, të tërhequr kryesisht nga Kolumbia dhe Afrika e Jugut, të trajnuar për të kryer operacione speciale brenda dhe jashtë vendit.
Por mbi të gjitha, Mohammed bin Zayed ka pasur prej kohësh ndikim të madh mbi Trump, i cili kupton pak ose aspak për politikën e jashtme dhe tashmë e ka treguar veten se është shumë i ndikueshëm. Mohammed bin Zayed kishte gëzuar tashmë një marrëdhënie të veçantë me paraardhësin e Trump, Barack Obama, por më pas erdhën Pranverat Arabe dhe gjërat ndryshuan.
Obama kishte mbështetur lëvizjet revolucionare kundër udhëheqësve autoritarë në pushtet për dekada dhe kishte mbështetur ngritjen e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt; Mohammed bin Zayed nuk ishte dakord për gjithçka. Ai ishte i shqetësuar se islamizmi politik i Vëllazërisë Myslimane mund të tërhiqte edhe simpati midis popullsisë së Emirateve, e cila mund të rebelohej kundër pushtetit të familjes mbretërore.
Është për këtë arsye, disa diplomatë i thanë New York Times, se Mohammed bin Zayed beson se bota arabe nuk është gati për demokraci: nëse do të kishte zgjedhje të lira, islamistët do t’i fitonin të gjitha, pohon ai.
Por nuk ishte vetëm Pranvera Arabe që e ndau Mohammed bin Zayed nga Obama: kështu bënë edhe ofertat e SHBA-së ndaj Iranit (një vend armik i Emirateve), të cilat çuan në nënshkrimin e marrëveshjes historike bërthamore iraniane në vitin 2015. Trump u dha udhëheqësve arabë një liri lëvizjeje dhe një ndjenjë mbrojtjeje të paparë gjatë viteve të Obamës, siç u demonstrua nga vrasja e gazetarit disident Jamal Khashoggi.
Editorialisti i “ Washington Post” Khashoggi u vra te nga një komando saudit në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë, në 2 Tetor 2018. Shumë besojnë se një operacion i tillë i pamatur ishte i mundur vetëm sepse regjimi i Arabisë Saudite besonte se miqësia e tij me Shtetet e Bashkuara të Trump do t’i lejonte të shmangte çdo sanksion serioz dhe domethënës ndërkombëtar, dhe kështu ndodhi në fund të fundit.
E njëjta liri lëvizjeje është shfrytëzuar prej kohësh nga Mohammed bin Zayed, i cili është bërë gjithnjë e më i pavarur dhe agresiv në politikën e tij të jashtme. Marcelle Wahba, ish-ambasadorja e SHBA-së në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha se deri vonë, Mohammed bin Zayed kërkoi “dritë jeshile” nga Uashingtoni për të nisur operacione të pamatura ose për të marrë vendime të rëndësishme.
“Tani princi nuk kërkon më leje. Ai bën atë që dëshiron”, tha Wahba.
Deri më tani, iniciativa e shtuar e Mohammed bin Zayed nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Në Egjipt, Presidenti Sisi ende nuk ka arritur të mposhtë kryengritjen islamiste në Sinai, as të ringjallë ekonominë, pavarësisht ndihmës së Emirateve; izolimi i Katarit nuk e ka bindur udhëheqjen e Katarit të ndryshojë politikën e saj ndaj Iranit ose Vëllazërisë Myslimane; në Libi, Feldmarshal Haftar, gjithashtu i mbështetur nga Emiratet, është forcuar mjaftueshëm për të nisur një ofensivë kundër Tripolit dhe qeverisë së saj rivale, por jo aq sa për ta fituar atë.
“Ai mendon se është Makiaveli, por vepron më shumë si Musolini”, tha Bruce Riedel, një analist në Institutin Brookings dhe ish-zyrtar i CIA-s, duke iu referuar Mohammed bin Zayed./Pamfleti


