Lajme

Ligj i ri: Një vit burg për parkim paralel të veturës

Me 85 vota pro dhe 9 kundër, Kuvendi shqiptarë miratoi disa ndryshime në Kodin Penal aktual, ndërsa Kodi i ri penal vazhdon të jetë në proces konsultimi. Një nga pikat që shkaktoi debat ishte dekriminalizimi i shpifjes, i cili do të aplikohet vetëm për gazetarët. Propozimi i Partisë Demokratike për një dekriminalizim të përgjithshëm për të gjithë qytetarët u rrëzua nga mazhoranca.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu dënim deri në një vit burg për parkimin e mjetit në mes të rrugës ( vetëm në raste kur pengon veturat e Ndihmës së shpejtë, Zjarrfiksëve, Policisë ), përjashtuar biçikletat dhe motorët. Të gjitha referimet në prokurori për bllokim të qarkullimit do të trajtohen nga neni 293/1.

Mazhoranca shtoi dënime më të rënda për zjarrvënie të qëllimshme dhe ndërtime pa leje, duke i paraqitur si “harmonizim me standardet evropiane”.

Neni 200, i cili aktualisht dënon pushtimin e tokës me gjobë ose burg deri në 2 vjet, zgjerohet me përkufizime të reja. Dënimet variojnë nga 6 muaj deri në 6 vjet, duke përfshirë edhe zyrtarët e institucioneve përgjegjëse, të cilëve u hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Dënimet për zyrtarët publikë që marrin pjesë në ndërtime pa leje rriten me një të tretën dhe përfshijnë heqjen e të drejtës për të punuar në administratë deri në 5 vjet. Në zonat e mbrojtura, dënimi për zyrtarët rritet me dy të tretat e dënimit ekzistues.

Dënimet për zjarrvënie gjatë periudhave të favorizuara nga flakët shkojnë nga 3 deri në 8 vjet, ndërsa për pyjet nga 5 deri në 8 vjet. Në rast të pakujdesisë, dënimi varion nga 3 deri në 7 vjet, dhe për zjarrvënie në zonat e mbrojtura ose në objekte të trashëgimisë kulturore, nga 4 deri në 10 vjet. Kur zjarri vendoset për të ndryshuar destinacionin e tokës, dënimi shkon nga 7 deri në 15 vjet dhe klasifikimi i tokës nuk mund të ndryshohet për 30 vjet.

Ndryshimet përfshijnë përafrimin e Kodit Penal me ligjet e Bashkimit Evropian në fushën e pastrimit të parave, luftën ndaj terrorizmit, trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore, mbrojtjen e viktimave, si dhe kriminalizimin e mashtrimit në fondet e BE-së. Dënimet për abuzime mbi 50,000 euro shkojnë deri në 10 vjet burg.

Për pjesëmarrjen në organizata terroriste, dënimi minimal rritet nga 7 në 15 vjet. Juridiksioni penal zgjerohet edhe për shtetas të huaj rezidentë në Shqipëri, për veprime pjesërisht të kryera jashtë vendit. Ndëshkimet për pornografi, shfrytëzim dhe krime seksuale ndaj të miturve arrijnë deri në 20 vjet burg.

3sgIgLJ.png