Me rastin e 10 tetorit, Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Kuvendi Universitar i Studentëve të UT-së sot, në hollin e Rektoratit, organizoi një aktivitet simbolik që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor dhe mbështetjes psikologjike për shoqërinë.
Kryetari i Kuvendit Universitar të Studentëve, Leart Ibraimi, theksoi se përmes këtij organizimi synohet të nxitet ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e shëndetit mendor në jetën studentore.
“Përmes shpërndarjes së disa fletushkave me mesazhe motivuese për studentët dhe këndit të pikturave, ku studentët shprehin lirshëm talentin dhe kreativitetin e tyre, dëshirojmë të përcjellim mesazhe pozitive dhe të nxisim ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e shëndetit mendor në jetën studentore,” u shpreh Leart Ibraimi.
Në këtë aktivitet, ku morën pjesë edhe drejtuesit e Universitetit, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Arsim Prof. Dr. Ibrahim Neziri dhe Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë Doc. Dr. Bardhyl Limani, u theksua se veprimtari të tilla shërbejnë për ndërgjegjësimin e kategorive të caktuara shoqërore, sepse ndërgjegjësimi është proces i rëndësishëm përmes të cilit një person apo komunitet bëhet i vetëdijshëm për një çështje, problem ose realitet që ndikon në jetën individuale dhe kolektive.
