Mohammad Bagher Ghalibaf, president i Parlamentit iranian (Majlis) që nga viti 2020, është shfaqur në qendër të raportimeve për kontakte të mundshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas burimeve izraelite, ai konsiderohet si një nga interlocutorët e mundshëm në negociatat e paralajmëruara nga presidenti amerikan Donald Trump.
Megjithatë, vetë Ghalibaf i ka mohuar këto pretendime. Në një reagim në platformën X, ai deklaroi se “nuk janë zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara” dhe i cilësoi raportimet si “lajme të rreme” që synojnë të mbulojnë vështirësitë e SHBA-së dhe Izraelit.
Ghalibaf është një figurë e konsoliduar e establishmentit iranian, me lidhje të forta me strukturat kryesore të pushtetit, përfshirë Gardën Revolucionare (IRGC) dhe rrethin e ngushtë të udhëheqjes supreme. Ai konsiderohet i afërt me Mojtaba Khamenein dhe ka pasur ndikim në zhvillimet e fundit politike në vend.
I lindur në vitin 1961 në Mashhad, ai ka një karrierë të gjatë që përfshin role ushtarake, të sigurisë dhe politike. Ka shërbyer si komandant në Gardën Revolucionare gjatë luftës Iran-Irak, si shef i policisë dhe për 12 vite si kryetar i bashkisë së Teheranit. Në të kaluarën ka tentuar disa herë të zgjidhet president i Iranit, duke fituar reputacionin e një kandidati të përhershëm për postet më të larta.
Figura e tij shoqërohet edhe me polemika. Ai është përmendur në raste të ndryshme për akuza korrupsioni dhe për qëndrime të ashpra ndaj protestave të brendshme, përfshirë përdorimin e forcës nga autoritetet. Në diskursin publik, ai ka mbajtur një linjë të fortë kundër Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar pasoja serioze për rajonin në rast përshkallëzimi.
Megjithatë, zhvillimet e fundit e kanë rritur profilin e tij politik. Në një kontekst ku disa figura kyçe të regjimit janë eliminuar dhe udhëheqja supreme nuk është shfaqur publikisht, Ghalibaf shihet nga disa analistë si një nga politikanët më me ndikim në Iran aktualisht.
Sipas vlerësimeve akademike, ai përfaqëson një figurë që ndërthur përvojën ushtarake, ndikimin politik dhe lidhjet institucionale, çka mund ta bëjë një aktor të rëndësishëm në çdo proces të mundshëm negociues. Megjithatë, qëndrimi i tij publik mbetet i qartë: ai mohon çdo dialog me SHBA-në dhe thekson vijimin e linjës zyrtare të Teheranit.

