Përplasja e epokës: Kreu i Kishës Katolike sfidon mbretin e Silicon Valley…
Papa Leon XIV ka kritikuar hapur hendekun gjithnjë e më të madh mes pagave të drejtuesve të korporatave, si Elon Musk, dhe punëtorëve të zakonshëm, duke e cilësuar këtë pabarazi ekonomike si një nga shkaqet kryesore të polarizimit që po trondit botën. Shefi i Tesla dhe SpaceX nuk e la pa përgjigje këtë deklaratë të udhëheqësit të parë të Kishës Katolike me origjinë amerikane.
Në intervistën e tij të parë pas zgjedhjes në maj, Papa Leon përmendi Musk si shembullin më të dukshëm të pasurisë që, sipas tij, minon “vlerën e jetës njerëzore, të familjes dhe të shoqërisë”. Ai kujtoi se lajmet e fundit flisnin për mundësinë që Musk të bëhet trilioneri i parë në botë deri në vitin 2027, ndërsa pasuria e tij aktuale vlerësohet në rreth 367 miliardë dollarë.
Duke iu përgjigjur, Musk citoi një pasazh biblik mbi hipokrizinë dhe rikujtoi se pasuria e Kishës Katolike vlerësohet në rreth 2 trilionë dollarë. Përmes rrjeteve sociale, ai e vendosi Kishën përballë një krahasimi të drejtpërdrejtë, duke e konsideruar akuzën e Papës të pabalancuar.
Papa, i lindur në Çikago dhe me eksperiencë shërbimi kishtar në Peru para se të transferohej në Vatikan më 2023, theksoi se Musk nuk është rasti i vetëm. “Para 60 vitesh, drejtuesit e kompanive fitonin 4 deri në 6 herë më shumë se një punëtor i zakonshëm. Sot, sipas të dhënave të fundit, ata fitojnë mbi 600 herë më shumë,” deklaroi ai.
Në të njëjtën intervistë, kreu i Selisë së Shenjtë përsëriti thirrjet për t’i dhënë fund luftërave në Ukrainë dhe Gaza, duke shprehur keqardhje për paaftësinë e OKB-së për të imponuar paqen dhe për të ndërmjetësuar efektivisht në konfliktet globale. Ai shtoi se Vatikani po përpiqet të promovojë dialogun dhe frymën e “vëllazërisë njerëzore”.
Kritika e tij për pabarazinë ekonomike erdhi vetëm një ditë pas një eventi të madh në Sheshin e Shën Pjetrit, ku Vatikani organizoi një takim mbi “vëllazërimin njerëzor”. Ironikisht, spektakli i mbylljes përfshinte një shfaqje me dronë të kompanisë Nova Sky Stories, që i përket vëllait më të vogël të Elon Musk, Kimbal.